
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, Arben Shkodra deklaroi u shpreh sot për MCN TV se rritja e çmimit të energjisë mund të jetë goditje fatale për industrinë prodhuese në vend.
Në një lidhje Skype për MCN TV, Shkodra tha se duhej të kishte një analizë nga qeveria për të parë impakin në ekonomi dhe ekonominë prodhues, por një gjë e tillë sipas tij nuk është bërë. “Ne nuk kemi një treg të rregulluar” shtoi ai duke thënë se rregullatori që në këtë rast është bursa nuk është funksionale.
“Nuk duhet të kishim arritur në pikën kur duhet të bënim kërkesa. Kjo duhej të kishte një analizë nga qeveria për të parë impakin në ekonomi dhe ekonominë prodhues. Nuk është bërë një gjë e tillë, por e shkarkuan këtë tek industria. Goditja për industrinë mund të jetë fatale. Ne nuk kemi një treg të rregulluar sepse rregullatori që është bursa nuk është funksionale. Vendet e rajonit nuk kanë këtë impakt që kemi ne sot sepse kanë pasur strategji dhe në këtë moment nuk gjenden në situatën që jemi ne”, u shpreh Shkodra.
I pyetur nëse ka furnitorë për energji, Shkodra tha se nuk ka probleme tek aksesi, por tek rritja e çmimit.
“Sot ata furnizohen nga operatorë privat dhe e marrin nga tregu i huaj apo vendas. Ka operatorë të licensuar që ofrojnë energji. Nuk ka probleme tek aksesi, por tek rritja”.
Ai gjithashtu foli edhe për kërkesat ndaj qeverisë dhe tha se nëse nuk merren parasysh, çmimi i produkteve do të jetë më i lartë dhe kjo sipas tij do të çojë në zëvendësimin me produkte të huaja, kapacitet prodhues të ulët dhe punësime gjithashtu më të ulëta.
“Pas datës 24 do ketë një tryezë që do të diskutojnë më tej dhe do të dalë qëndrimi përfundimtar. Nëse qeveria nuk reflekton reagimi është i ditur. Çmimi do jetë më i shtrenjtë në treg dhe do ketë zëvendësim me produktin e huaj dhe kapaciteti prodhues do të bjerë dhe punësimet po ashtu”, përfundoi ai.



