
Dhjetë muaj pas hyrjes në fuqi të hartës së re gjyqësore, dhoma kombëtare e Avokatisë dhe Komiteti shqiptar i Helsinkit kanë depozituar në Kushtetuese padinë kundër kësaj harte.
Lidhur me këtë, avokati Përparim Çaça në MCN Live u shpreh se e vetmja shpresë e problemeve të qytetarëve është Gjykata Kushtetuese dhe kjo hartë cenon aksesin e qytetarëve për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë. Sipas tij, harta e re gjyqësore shkakton vonesa në dosje, kjo dhe për pasojë të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem.
Besoj se duket tashmë që gjykata kushtetuese është e vetmja shpëtim në Shqipëri. Besoj se avokatët që në fillim kanë qenë kundër kësaj harte gjyqësore, jo se u bën një dëm avokatëve të drejtpërdrejtë, por qytetarëve. Problemi i parë është kjo hartë në këtë mënyrë cenon askesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, rrisin koston dhe do vazhdojë të ketë vonesa në dhënien e drejtësisë pasi kemi vonesa në dosje.
Problemi më i madh ka qenë që në momentin e hartimit në mënyrë të njëtrajtshme do duhej të shpërndahej ngarkesa në të gjithë Shqipërinë. Në sistem mungojnë 45% e gjyqtarëve dhe 38% e prokurorëve kështu që problemi kryesor si pasojë e vetingut dhe shkollës magjistraturës mungon një trupë shumë e madhe dhe do duhej që të mos kemi 24 gjyqtarë, por 78 sepse po të ishte trupa e plotë do punohej dhe me dosjet.
Më tej ai theksoi se infrastruktura në disa gjykata është skandaloze. Sipas tij, në gjykatën e shkallës së parë në Durrës gjithsej janë 4 salla me 12 gjyqtarë dhe do shohësh avokatët që rrinë në rrallë po doli ndonjë për të përdorur sallën e gjyqit.
Gjyqin e orës 10 e përfundon në 3. Gjyqtarët e kanë mbrojtur hartën por dhe për ata është një problem. Kemi plot raste që klientët na ndërrojnë jetë para se të përfundojnë çështjet e tyre sepse ka dhe një problem tjetër sepse në një vendimmarrje, duke qenë se janë një fashë sociale e rëndësishme këto çështje nuk i gjykon shkalla e parë por ajo administrative dhe çfarë ndodh duke i çuar këto çështje në gjykatën administrative, dosjet janë më të shumta dhe kjo sjell mungesën e një date për ta gjykuar.
Tashmë këto dosje janë çdo ditë e më shumë duke pritur dhe ka një numër të madh që këta klientë kanë ndërruan jetë duke pritur dhe kjo nuk është drejtësi. Prandaj mendoj se do duhet rishikuar harta gjyqësore në nivelin e qytetarëve se nuk është problem i avokatëve.
Ne thjesht do paguhemi po nga qytetarët por s’ka pse të rriten kostot e qytetarëve nga diçka që më parë ka funksionuar. Problemi më i madh është se në sistem do duhej të kishte më shumë gjyqtarë dhe duke i hequr dhe gjykatën i ke lënë të shkretë në një farë mënyre.



