Hammershøi: Vetmia misterioze e një soditjeje (FOTO)

Hammershøi: Vetmia misterioze e një soditjeje (FOTO)

Vilhelm Hammershøi (1864-1916), piktori i veçantë danez që në kohën e tij u quajt “piktori i dhomave të qeta”, është një artist, i cili shenjon publikun që në kontaktin e parë me veprën e tij. Kontakt, i cili të përfshin në një atmosferë soditjeje aspak të zakonshme, prej së cilës del i shqetësuar, duke kaluar pikërisht në udhën e qetësisë.

Ndjesia e parë që merr nga pikturat e Hammershøi-t është fashitja e menjëhershme e çdo zhurme që vjen nga jashtë. Qetësia e imazheve, fshin të jashtmen e zgjon të brendshmen, vetminë, shqetësimin, një gjendje enigmatike, mistike, të dyzuar që zë vend brenda teje.

“Edhe kur pikturonte një stufë në qoshe, një divan apo një seri dyersh të bardha, artisti danez i shekullit XIX Vilhelm Hammershøi ka arritur t’i mbushë objektet e zakonshme në dhoma gjysmë të zbrazëta me “një cilësi, jashtë kësaj bote, një pasqyrim të madhështisë së ekzistencës”, thoshte historiani Julius Elias, në vitin 1916.

 “Ne shohim miliona imazhe çdo ditë dhe shumica e tyre janë të tmerrshme, por kur ti e vë veten përballë mjediseve të brendshme të zhveshura të Hammershøi-t është si të hysh në një seancë joge. Ti duhet të heqësh gjithçka nga vetja për të mbërritur thelbësoren”, shprehet Jean-Loup Champion, kuratori i Hammershøi-t mjeshtrit të pikturës daneze, në një ekspozitë kushtuar atij në  Musée Jacquemart-André në Paris.

“…Puna e tij përfshin portrete enigmatike, peisazhe vendesh a qytetesh të frikshme dhe një seri unike nudosh shqetësuese… këto mjedise të brendshme misterioze jepen në dritëhije të së bardhës e të grisë dhe shpesh shfaqin një grua nga ana e pasme kanë krijuar një lidhje të veçantë me publikun bashkëkohor…

…Ato janë piktura që kërkojnë soditje të heshtur edhe pse shpesh një ndjenjë qetësie fillestare të dërgon në diçka më shqetësuese

…Në pikturën me një bukuri madhështore “Sunshine in the Drawing Room III” (1903) (Rreze dielli në dhomën e vizatimit III) vëzhgimi i lojës delikate të dritës i jep një cilësi meditative; gjithsesi përjetimi i heshtjes gradualisht të çon në ndjesinë e frikshme të izolimit ekzistencial.

..Karrigia e zbrazët përballë një dere të mbyllur në “Mjedis i brendshëm me karrige (1913)” sugjeron shqetësueshëm praninë e një mungese ose sjell ndjesinë e dikujt që po vjen. E gjithë hapësira jep ndjesinë eterike të një dhome pezull midis kësaj bote dhe tjetrës…”, shprehet Cath Pound.

Soditja e pikturave të Vilhelm Hammershøi-t dhe udhëtimi shpirtëror që të falin janë një përjetim artistik i papërsëritshëm.

përgatiti Erina Çoku

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy