
“Në shi nuk futet makina. Të sëmurët dhe të vdekurit i mbajmë në krah.” Kjo nuk është një histori nga e shkuara, por realiteti i vitit 2026 në dy fshatra të Ballagatit, Jazxhias dhe Manasufaj.
Mes baltës, errësirës dhe mungesës totale të shërbimeve, banorët flasin me revoltë të hapur: “Rrugë s’kemi, ujë s’kemi, drita s’kemi. Jemi më keq se në Mesjetë.” Fëmijët rrezikojnë jetën çdo ditë nën telat e amortizuar të energjisë. “Përplasen telat e bëjnë shkëndija në oborr. Presim kur do na bjerë mbi kokë.”
Zemërimi shpërthen në akuza të drejtpërdrejta dhe gjuhë të ashpër: “Këta janë qen e bir qeni, të majtë e të djathtë.” Krahasimet bëhen therëse: “Vetëm Enveri ishte kral. Atëherë kishim ujë e drita, sot s’kemi asgjë.”
Në qendër të akuzave është ish-kryebashkiaku i Lushnjës: “Fatos Tushe vodhi për 13 vite dhe na la në baltë.” Sipas banorëve, rrugët janë shtruar vetëm për fushata dhe janë braktisur sapo kanë mbaruar votat. “E nisën rrugën për tre ditë, vetëm për sy e faqe.”
Ndërkohë, në një zonë që prodhon vaj ulliri cilësor, fermerët nuk arrijnë të nxjerrin prodhimin në treg. “Ç’i duam ullinjtë kur nuk kalon rruga? I çojmë me gomar.”
Mes varfërisë dhe braktisjes, mes revoltës dhe frikës, thirrja është e njëjtë: “Duam vetëm rrugë, ujë, drita.” Por deri atëherë, dy fshatra në zemër të Myzeqesë vazhdojnë të mbajnë mbi supe jo vetëm të sëmurët dhe të vdekurit, por edhe peshën e një shteti që, sipas tyre, i ka harruar.



