
Qytetarët kanë dalë sërish në protestë këtë të shtunë, duke shënuar ditën e 63-të të mobilizimit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë, duke e akuzuar për cenimin e zonave të mbrojtura dhe për favorizimin e klientelizmit përmes ligjit për investitorët strategjikë.
Ashtu si në protestat e mëparshme, marshimi ka nisur nga sheshi "Skënderbej", ndërsa pjesëmarrësit janë drejtuar drejt godinës së Kryeministrisë përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Sipas organizatorëve, protesta e kësaj të shtune ka karakter kombëtar, pasi në të marrin pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.
Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke e cilësuar këtë si një nga mobilizimet më të rëndësishme të protestës.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë brohoritur sloganet: "Rama, jep dorëheqjen", "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Revolucion".



