Hipopotamët e trashëguar të Pablo Escobar mund të jenë “një rrezik për biodiversitetin e Kolumbisë” sipas qeverisë, e cila po shqyrton zhvendosjen e tyre.
Trafikanti i drogës importonte ilegalisht hipopotamët në pronën e tij në Hacienda Napoles në zonën e Antioquia.
Në vitin 1993, pas vdekjes së tij, katër ekzemplarë, një mashkull dhe tre femra, u arratisën nga prona dhe u vendosën në lumin Magdalena.
Vetëm ata mendohet se kanë sjellë në jetë mes 130 dhe 160 hipopotamë të tjerë.
Pas vdekjes së Escobar, autoritetet zhvendosën pothuajse çdo kafshë ekzotike të kontrabanduar në pasurinë luksoze, me përjashtim të hipopotamëve që sipas autoriteteve ishin shumë të vështirë për t’u transportuar.
Prandaj, kafshët mbetën pranë lumit Magdalena dhe asnjë politikë për menaxhimin e tyre nuk u zbatua apo hartua ndonjëherë nga qeveria.
Hipopotamët në fjalë mbërritën ilegalisht nga një kopsht zoologjik amerikan dhe për 30 vjet ata ishin të lirë të riprodhoheshin dhe të lulëzonin në territorin kolumbian.
Hipopotamët konsiderohen si një nga speciet më të mëdha pushtuese në botë dhe nuk kanë grabitqarë natyrorë në Kolumbi. Me kalimin e kohës, ndikimi i tyre mund të jetë edhe më i dëmshëm për mjedisin në vend.
Për këtë arsye, qeveria tashmë ka marrë masa për transferimin e hipopotamëve në vende të tjera pasi ka marrë presion nga shkencëtarë dhe ekspertë të cilët kanë kërkuar një plan të rreptë për kujdesin dhe menaxhimin e kafshëve.
Duhet të ketë rreth 70 ekzemplarë prej tyre të cilët do të gjejnë një shtëpi të re në Meksikë dhe Indi. Pasuria e vjetër e Pablo Escobar është tani një park tematik i hapur për publikun ku mund të shihen kafshë të ndryshme dhe koleksioni i makinave të vjetra të trafikantit kolumbian.



