Shteti Islamik nuk do të kishte fuqinë që ka sot, nëse Sadam Husein nuk do të ishte rrëzuar nga pushteti. Tingëllon e çuditshme kur këtë e thotë një amerikan dhe pikërisht një ish-agjent i CIA-s që e ka marrë në pyetje ish-liderin irakian. John Nixon thotë se Perëndimi duhet të gjejë bashkëpunimin me liderët që nuk i ka fort për zemër, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Nixon ka qenë agjenti i parë që ka marrë në pyetje Sadam Huseinin në dhjetor 2003. Libri i tij “Të “zbërthesh” presidentin: Marrja në pyetje e Sadam Husein” jep me detaje atë që ka ndodhur pas kapjes së presidentit irakian.
Nën regjimin e Huseinit, ISIS-I nuk do të kishte lulëzuar
“Gjatë marrjes në pyetje, Sadami i ktheu të gjitha supozimet tona përmbys”, thuhet në libër. Nixon thotë se nëse Sadami do të kishte mbetur në pushtet, do ta kishte bërë të pamundur ngritjen e Shtetit Islamik.
“Do të ishte e pamundur që një grup si ISIS-i të gëzonte këtë sukses që ka sot, nëse regjim shtypës I Sadamit do të kishte vijuar”, thotë ai në libër.
Sipas ish-agjentit, Sadami ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun që paraqisnin lëvizjet xhihadiste dhe ishte i gatshëm të shtypte çdonjërën prej tyre.
“Sadami e kishte nuhatur se grupet ekstremiste në Irak paraqisnin kërcënim për pushtetin e tij dhe aparati i tij i sigurisë do t’i kishte zhdukur që në rrënjë lëvizje të tilla”, thuhet në libër.
Kjo tezë e ish-agjentit të CIA-s mbështetet edhe nga një raport i britanikëve mbi përfshirjen e vendit të tyre në luftën e Irakut.
Në të thuhet se në vitin 2006, tre vjet pas ndërhyrjes ushtarake, krerët e shërbimeve inteligjente britanike ishin shumë të shqetësuar për ngritjen e grupeve sunite xhihadiste.
Këta radikalë dhe pjesë të tjera të forcës ushtarake të shpërbërë të Irakut u bashkuan me grupet xhihadiste, mes të cilëve edhe Shteti Islamik.



