
Propozimi francez parashikon një marrëveshje kompromisi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë lidhur me rishikimin e teksteve të historisë dhe përdorimin e gjuhës. Sot në Shkup ndodhet presidenti i Këshillit Europian, Charles Mishel, i cili është pritur nga kryeministri Kovaçevski. Nga Shkupi, përmes një lidhjeje me Skype, analisti Seladin Xhezairi tha se përgjigjja zyrtare e Maqedonisë së Veriut mbi propozimin francez pritet nesër.
Sonte opozita maqedonase ka paralajmëruar se do të vazhdojë protestat kundër propozimit francez. Nuk dihet se çfarë përmasash do të kenë këto protesta.
Propozimi francez përmes kanaleve qeveritare duhet të futet në procedurë parlamentare dhe pas debatit që pritet të hapet nesër, do të dihet përgjigjja përfundimtare e Shkupit përsa i përket propozimit, që ka mbështetjen e BE dhe administratës amerikane.
Xhezairi tha se gjatë takimit me kryeministrin maqedonas, Michel ka përsëritur mbështetjen e BE-së për aspiratat europiane të vendit.
Zyrtari i lartë i BE e ka kryer pjesën e bisedimeve me pushtetin. Para disa minutash, ai dhe kryeministri Kovaçevski mbajtën një konferencë shtypi. Michel siguroi kryeministrin se BE mbështet aspiratën e Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave dhe shfaqi mirëkuptim për rezervat e Maqedonisë.



