Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka reaguar përkitazi me ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Në një reagim zyrtar, OSBE është shprehur se fushata zgjedhore nuk duhet që të njolloset me gjak e dhunë, ndërsa u ka bërë thirrje autoritetev që të hetojnë krimin e ndodhur.
OSBE thekson se pret nga policia e institucionet gjyqësore të hetojnë plotësisht dhe ta ndjekin penalisht këtë krim të shëmtuar.
DEKLARATË E PREZENCËS SË OSBE-SË NË SHQIPËRI
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vërejti me shqetësim incidentin e dhunshëm, që çoi në humbjen e jetës në Elbasan. Mendimet tona janë, së pari, për familjen e viktimës. Ne besojmë, fuqimisht, që fushata zgjedhore dhe përgatitjet e zgjedhjeve janë një mundësi demokratike e jashtëzakonshme, e cila nuk mund të njolloset me gjak dhe dhunë. Presim që policia dhe institucionet gjyqësore të Shqipërisë ta hetojnë plotësisht dhe ta ndjekin penalisht këtë krim të shëmtuar.



