Avokati Redon Meksi tha në MCN Live se bojkoti i avokatëve ka shumë vlerë, por theksoi se duhen bojkotuar masat e sigurimit.

"Problemi është kur dhuna ndodh për shkak të detyrës. Unë mendoj që bojkoti ka shumë vlerë, por kur bëjmë bojkot seancat dhe jo masat e sigurisë ne nuk i sjellim asnjë presion gjykatës, qeverisë, apo prokurorisë. Kur ishte bojkoti për hartat e gjyqësori, ajo që ndodhi nuk është se nuk funksionoi bojkoti, por nuk u morën masa ndaj atyre që e thyen bojkotin. Duke shtyrë seancat nuk fitojmë gjë. Sa për ndërgjegjësimit mbase do ishte më mirë një formë tjetër, një marshim, një protestë. Është gjithë fryma e shtetit tonë, politika, gjyqësori, prokuroria, avokatët, të gjithë së bashku kemi krijuar një shtet të tillë që të çon në këtë pikë. Kur s’arrijmë të mbrojmë veten tonë, s’mund të jemi të aftë për të mbrojtur të tjerët. Kush është i mbrojtur sot në Shqipëri?! Të korruptuar kemi në çdo fushë të jetës në Shqipëri, ke gazetarë, ke mjekë të korruptuar".
I pyetur mbi mundësinë e Vetingut te avokatët, Meksi tha që kjo mund të zgjidhet thjesht, përmes një ligji për deklarimin e pasurive.
"Unë s’deklaroj pasuri te Dhoma e Avokatisë. Ka një problem, ne kemi relativizuar të keqen. Kur qytetari sheh gjyqtarin thotë hajdut, kur sheh prokurorin hajdut, avokati hajdut, mjeku hajdut, inxhinieri hajdut. Vetingu zgjidhet thjesht, ti bëj një ligj për deklarimin e pasurive, ku çdo qytetar shqiptar të deklarojë pasurinë. Çfarë do të thotë ky Vetingu? E ke mënyrën, nëse s’jam i aftë mos më jep licencën! Vetingun e bën tregu ”.



