
Kryeministri Rama bëri sot në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit një bilanc paraprak të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Rama tha se në të gjithë vendin janë 261 pallate që janë dëmtuar në shkallën sa konsiderohen të pabanueshme.
“Më pas vijmë tek objektet, siç kemi 261 pallate të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshëm, në momentin aktual 2237 banesa të pabanueshme. 851 pallate me dëmtime të mesme apo të lehta. Te pallatet e dëmtuara rëndë po bëhet një punë specifike për të përcaktuar shkallën e rrezikut. Sot isha me ekspertët e ardhur nga Izraeli, të cilët kanë një aparat të teknologjisë dhe verifikojnë qëndrueshmërinë strukturore të objektit. Një pjesë e pallateve janë me dëme të rënda, por të rikuperueshme”, tha Rama.
Rama u ndal në rastin e shkollës “Emin Duraku”, në kryeqytet, për të cilën tha se është pjesërisht e përdorshme.
“Shkolla “Emin Duraku”, inspektimet janë bërë, janë bërë më shumë se një inspektim. Ka një pjesë të shkollës që është krejtësisht e përdorshme dhe për një objekt që është i kohës së mëparshme, është dhënë urdhër që mos të përdoret. Të tjerat janë spekulime. Janë sot në terren 500 inxhinierë, shifër e rrumbullakosur, sepse numri varion, shtohen dhe ulen sipas disponimit, por janë edhe 81 ekspertë nga 11 vende të huaja”, tha Rama.



