Rrënojat e një qyteti pothuajse 300-vjeçar janë zbuluar pasi temperaturat e larta në Filipine thanë pjesërisht një digë të madhe në vend.
Qyteti Pantabangan u përmbyt në vitet 1970 duke bërë që aty të ndërtohet një rezervuar.
Mirëpo qyteti rishfaqet në raste jashtëzakonisht të rralla, kur moti është i thatë dhe i nxehtë.
Rishfaqja e rrënojave të qytetit vjen pasi pothuajse gjysma e vendit po përjeton një thatësirë ekstreme, ku temperaturat arrijnë deri në 50 gradë celcius në disa vende.
Kësaj radhe Pantabangan është qyteti që ka qenë më gjatë mbi ujë që nga ndërtimi i digës, tha për agjencinë e lajmeve AFP Marlon Paladin, një inxhinier me agjencinë shtetërore që operon digat e vendit.
Vapa ekstreme ka prishur jetën e përditshme të miliona njerëzve pasi shkollat janë mbyllur për ditë të tëra dhe punonjësit e zyrës këshillohen të punojnë nga shtëpia.
Filipinet janë në mes të sezonit të ngrohtë dhe të thatë, i cili përkeqësohet nga fenomeni El Nino ose ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor.
Kombi i Azisë Juglindore është një nga vendet më të rrezikuara në botë nga efektet e ndryshimeve klimatike. Sezoni i tij i lagësht mund të sjellë stuhi të furishme, si Super Typhoon Haiyan në 2013, një nga më të fuqishmit në histori.
Niveli i ujit atje ka rënë me afro 50 metra nga niveli normal i lartë prej 221 metrash, bazuar në të dhënat zyrtare.
Rrënojat filluan të rishfaqen në mars pasi zona nuk kishte rënë pothuajse asnjë shi, tha Paladin për AFP.
Rishfaqja e rrënojave shekullore ka tërhequr turistët në qytet, rreth 202 km në veri të kryeqytetit, Manila.
Përveç Filipineve, Bangladeshi ka aplikuar pezullime të mësimit të cilat kanë prekur 33 milionë studentë.
Në Tajlandë, 30 njerëz kanë vdekur nga goditja e nxehtësisë midis janarit dhe 17 prillit të këtij viti, krahasuar me 37 në të gjithë vitin 2023, tha ministria e Shëndetësisë. Përtej kufirit në Mianmar, temperaturat janë rritur mbi 45 gradë Celsius.



