
Pak ditë më parë, Zhong Huijuan nuk ishte më e pasura as në familjen e saj. Sot ajo është gruaja më pasur në Azi. Me një pasuri të bërë vetë dhe jo të trashëguar, ajo renditet në Indeksin e Miliarderëve që përpilon agjencia Bloomberg. Pjesa më e madhe e pasurisë së saj që në total arrin në 10.5 miliardë dollarë, vjen nga aksionet në “Hansoh Pharmaceutical Group”, prodhuesi më i madh i ilaçeve psikotrope në Kinë. Vlera e tyre u rrit me 37% të premten në Hong-Kong, në ditën e parë të daljes në treg.
Zhong, një ish-mësuese kimie, e themeloi kompaninë “Hansoh” në vitin 1995 dhe arriti t’ia kalonte grupit “Longfor Group”. Zhong është gruaja e dytë më e pasur në Azi. Ajo vjen e dyta pas Yang Huiyan, bashkëpronare e “Holdings Country Garden”, një pasuri e trashëguar.
Rritja në aksione e pozicionon Zhong mbi katër motrat Mars, pasuria e së cilave vjen nga perandoria e biznesit të karameleve me të njëjtin emër, e krijuar nga gjyshi i tyre. Pasuria e Zhong gjithashtu tejkalon atë të Blair Parry-Okeden, gjyshi i të cilës ndërtoi konglomeratin e mediave të “Cox Enterprise”, si dhe Christy Walton, vejusha e djalit të dytë të themeluesit të zinxhirit të supermarketeve “Walmart”, Sam Walton.
Pasanikët e perandorive të ilaçeve
Pasuria e Zhong tani ka tejkaluar pasurinë e veçantë të Sun Piaoyang, i shoqi, i cili zotëron 9.4 miliardë dollarë nga firma e tij farmaceutike “Jiangsu Hengrui Medicine”. Çifti së bashku ka një vlerë neto që i bën ata më të pasurit në industrinë farmaceutike, duke lënë pas edhe Sacklers, të cilët janë pasuruar nga shitja e opioideve dhe Bertarellët e Zvicrës, të cilët vlejnë plot 16.3 miliardë dollarë.
Zhong është shprehur se mbështetja e qeverisë luan një rol të rëndësishëm në suksesin e prodhuesve të ilaçeve. Shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Kinë u rritën në 5.9 trilionë juanë (852 miliardë dollarë) vitin e kaluar nga 3.5 trilionë juanë në vitin 2014 dhe parashikohet të arrijnë 9.4 trilionë juanë në vitin 2023, përllogarit kompania e saj.
Kompania kryen studime dhe prodhon barna që përdoren në fusha si onkologjia, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti, dhe merr pothuajse gjysmën e të ardhurave të saj të ardhur nga trajtimet e kancerit.
Zhong është diplomuar për kimi në Jiangsu Normal University në korrik të vitit 1982 dhe ka dhënë lëndën e saj në shkollën e mesme Yan'an në Lianyungang në fillim të viteve 1990. / Bloomberg /



