
Italia dhe Franca po mbajnë një sërë eventesh në përkujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardo da Vinçit. Piktori, arkitekti dhe inovatori italian vdiq në 2 maj 1519, në Ambroise, në luginën Loire, jugperëndimi I Francës, në moshën 67-vjeçare.
Me origjinë nga Anchiano, në afërsi të Vinçit, në ish-republikën franceze të Firences, humanisti i Rilindjes i kaloi tre vitet e fundit të jetës në Alpe, pas ftesës së mbretit francez, Francis I. Ai mori me vete disa prej kryeveprave të tij, përfshirë “Monalizën”.

Presidenti francez, Emanuel Macron, dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, e përkujtuan dje gjeniun me një ceremoni në varrezat e Ambroise-s. Macron u shpreh se Da Vinçi është “lidhja historike që bashkon Italinë dhe Francën”.
Piktori
Da Vinçi është ndoshta më i njohuri për talentin e tij si artist, gjë që i solli famë kur ishte gjallë, një gjë që rrallë ndodhte në kohën kur ka jetuar ai. Pikturat e tij më të njohura janë “Darka e fundit” dhe “Monaliza”. Kjo e dyta, e njohur edhe si “Xhokonda”, e cila është e ekspozuar në muzeun e Luvrit në Paris, u bë vepra e siguruar me vlerën më të madhe në botë: plot 100 milionë dollarë në vitin 1962, para se të transferohej në SHBA për një ekspozitë speciale.

Shkencëtari
Etja e tij për dije dhe interesi për shkencat e çoi edhe drejt botanikës, kafshëve dhe anatomisë së njeriut. Kontributi i tij në këto fusha përfshin, p.sh., paraqitjen e saktë skematike për herë të parë në mjekësinë perëndimore të stomakut të një njeriu. Da Vinçi e vizatoi aparatin tretës në bazë të autopsisë së një të moshuari që vdiq në spitalin e Firences në vitin 1508.

Ai gjithashtu vizatoi dhe hodhi në letër studime të mirëfillta për dritën, vetitë e ujit dhe fluturimin e shpendëve.
Një inxhinier i pasionuar, ai punoi për një farë kohe si arkitekt ushtarak për Çezare Borxha, kohë gjatë së cilës ai shëtiti dhe vëzhgoi disa qytete dhe skicoi planimetrinë e tyre, "duke krijuar shembuj të hershëm të aspekteve të hartografisë moderne", siç thuhet në Enciklopedinë Britanike.
Shpikësi
Si avangardist, Da Vinçi gjithashtu ka meritën e shpikjes së një teknologjie që nuk do ta shihte dritën e diellit për shekuj me radhë, ose së paku i imagjinoi dhe i la të skicuara: helikopteri, parashuta dhe tanku.

Punët e Da Vinçit në art, shkencë dhe inxhinieri u regjistruan me kujdes prej tij vetë dhe vijojnë të habisin botën edhe sot, sepse janë dëshmi e asaj se sa i përparuar në ide dhe dije ishte mjeshtri i madh.
Kodi Leicester - një koleksion dorëshkrimesh të tij prej 72 faqesh - u ble nga Bill Gates në vitin 1994 për 30.8 milionë dollarë.



