Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, akuzoi qeverinë se u ka hequr shpresën të rinjve dhe ka zhytur vendin në dëshpërim. Topalli tha se varfëria po i shtyn të rinjtë të largohen nga vendi ose të hyjnë në rrugën e krimit.
“Njerëzit zgjohen në mëngjes dhe nuk kanë ku të shkojnë. Nuk kanë punë, nuk kanë rrogë, nuk kanë me se të jetojnë. Papunësia rëndon mbi çdo moshë, por rrënon shpresën dhe të ardhmen e brezit të ri. Ata i kanë shpresat te lotaria amerikane. Ata ikin në dhe të huaj, ku zhyten në punët e këqija të drogës, pa e menduar se burgu është e keqja më e vogël.
Burgjet e botës po mbushen me të rinjtë shqiptarë. Por edhe burgjet tona janë plot, plot me të varfër. Shumica e tyre janë në burg për hashash. Por janë skllevërit që paguhen nga shefat. E bëjnë për të mbajtur frymën. Ndërsa bosët janë shumë lart, shumë afër nesh. Një prej tyre është Balilaj, për të cilin partnerët na kushtëzojnë marrëdhëniet”, tha Topalli.



