
Lëvizja në aksin rrugor Kakavijë–Janinë pritet të bllokohet sërish edhe sot, si pasojë e protestave të fermerëve grekë që po zhvillohen në të gjithë vendin.
Gazetari Edmont Guri, në një vështrim për “MCN Live”, shpjegon ecurinë dhe rëndësinë e protestave.
Ai vlerëson se zemërimi i bujqve është plotësisht i drejtë dhe se ata kanë zgjedhur këtë formë bllokimi për të sensibilizuar shtetin lidhur me pagesat e rimbursimeve të vonuara prej kohësh.
Fermerët po protestojnë përtej çdo interpretimi politik, pasi bëhet fjalë për një nga ato raste ku reagimi i tyre është 100% i justifikuar.
Ata, janë kthyer në viktima të korrupsionit të pandëshkueshëm dhe të një indiference shtetërore ndaj problematikave që përballen, veçanërisht vonesat e gjata në rimbursime.
Fermerët shprehin zemërimin e tyre edhe për faktin se para pak kohësh detyruan ministrin të largohej nga aeroporti përmes një rruge dytësore, për shkak të tensioneve të krijuara.
Po ashtu, bllokimi i pikave kufitare është pasojë e mobilizimit të shoqërisë bujqësore greke, e cila është e organizuar në shoqata dhe konfederata funksionale e të pavarura.
Hezitimi i Ministrisë së Bujqësisë për t'i shpërblyer në kohë i ka irrituar edhe më shumë fermerët, të cilët tashmë ndihen të detyruar të marrin masa ekstreme, duke bllokuar rrugë e dogana që zëri i tyre të dëgjohet. Në disa raste ata janë përplasur edhe me policinë, duke pësuar dëmtime edhe në mjetet dhe pajisjet bujqësore.
Aktualisht, mijëra bujq protestues kanë bllokuar dhjetëra pika doganore dhe akse rrugore, dhe duket se protestat do të vijojnë. Ata gëzojnë mbështetje të gjerë nga opinionet e shoqërisë greke.



