Milo: Serbia doli “lakuriq” në sytë e ndërkombëtarëve. Ka reflektim edhe nga SHBA-të

Milo: Serbia doli “lakuriq” në sytë e ndërkombëtarëve. Ka reflektim edhe nga SHBA-të

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se BE dhe SHBA duhet të kërkojnë instrumente të tjera për të zgjidhur përfundimisht konfliktin Serbi-Kosovë. Milo vuri në dukje se Shqipëria është e vogël për të vënë në lëvizje mekanizma, ndërsa nuk e konsideroi si zgjidhje as konferencën ndërkombëtare të propozuar nga Rama. Milo tha se më kryesorja është që të mos hiqet nga axhenda e negociatave njohja e ndërsjelltë, sepse aty është kyçi i problemeve. Ish-ministri i Jashtëm u shpreh se ngjarja e të dielës e nxori Serbinë “lakuriq” në sytë e ndërkombëtarëve, dhe se tanimë ka reflektim edhe nga SHBA. 

Avokati u Raidoçiç mohoi atë që për shumë njerëz në botë është shumë e qartë, që prapa ngjarjes ka qëndruar patjetër qeveria serbe, institucionet e saj. Hetimet e deritanishme kanë dëshmuar që ajo ngjarje s’do të ndodhte nëse s’do kishte prapavijë dhe mbështetje nga institucionet serbe. Deklarata e sotme për dorëheqjen e Raidoçiç-it ishte që të hiqte vëmendjen nga akuzat për qeverinë serbe dhe ta nxirrte atë të pafajshme. Është lëvizje taktike nga autoritetet e Beogradit edhe kjo dorëheqje, që i është thënë që ta bëjë Raidoçiçit, dhe ai e ka bërë sepse ka qenë dhe mbetet një instrument. Përpara kësaj ngjarje Beogradi dhe Vuçiçi në planin ndërkombëtar kishin fituar disa pikë, sidomos në Bruksel, për shkak të komenteve që u bënë ndaj Kurtit. Kjo tani e ka zhveshur Serbinë dhe e ka nxjerrë lakuriq në sytë të ndërkombëtarëve dhe opinionit publik. Tashmë po diskutohet nëse është më e dobishme të ketë takime dypalëshe, dhe nëse duhet një mënyrë tjetër për t’u qasur në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, për Veriun, por edhe pajtimin dhe njohjen e ndërsjelltë mes tyre. Të gjitha gjasat janë që patjetër duhet të ketë një reflektim serioz për mënyrën se si do t’i qasen këtij problemi. 

Ka një reflektim, SHBA-të të paktën tani me ngjarjen që ka ndodhur, janë në një proces reflektimi. Ato patën një devijim nga politika tradicionale duke iu afruar Serbisë për synime strategjike më të mëdha dhe të rëndësishme, siç ishte lufta në Ukrainë dhe përpjekjeve për ta tërhequr Serbinë nga Rusia. SHBA-të lëshuan në marrëdhëniet me Beogradin dhe kjo e inkurajoi Vuçiçin që të ndërmarrë hapa të tjera. Mendoj që telefonata e Sekretarit Blinken sot me Vuçiçin, ka qenë për t’i dhënë një mesazh të fortë në emër të SHBA-ve Vuçiçit, edhe për atë deklaratë ekstreme që ai bëri që ‘s’do ta njohë kurrë Kosovën edhe sikur të vriten serbët’. Blinken i ka tërhequr vëmendjen. Borrell ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë. Kemi koordinim të qëndrimeve të Brukselit dhe SHBA-ve në adresë të Serbisë, sepse kanë qenë të bindur që ngjarja e të dielës ka qenë e nxitur nga Beogradi. Të paktën nga Brukseli masat janë një ngrirje në negociata që po zhvillon Beogradi për anëtarësimin në BE. E ka gati kartën në dorë Brukseli. SHBA-të kanë shumë instrumente si mund ta ushtrojnë presionin. Janë instrumentet ekonomikë, financiar në radhë të parë, mbështetja ndërkombëtare, qëndrimet ndaj Serbisë dhe sjelljes së saj. Do të ishte gabim nëse do t’i riktheheshin ritualit të takimeve shterpë të takimeve mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, që janë humbje kohe. Duhen gjetur mënyra duke ushtruar presion dhe më kryesorja të mos hiqet nga axhenda e negociata njohja e ndërsjelltë, sepse aty është kyçi i problemeve. Së shpejti besoj do kemi një produkt të këtij koordinimi intensiv mes Brukselit dhe Uashingtonit”.

I pyetur mbi propozimin e Ramës që KFOR-i të marrë nën kontroll Veriun dhe raportet Tiranë-Prishtinë, Milo tha: 

Ka një histori të marrëdhënieve të Tiranës dhe Prishtinës, që për fat të keq ka muaj e muaj që s’janë në një nivel të atillë që duhet të ishin, si dy vende vëllezër dhe që i bashkon një histori e tërë dhe që kanë interesa të mëdha jetike të përbashkëta. Mendoj se ka të bëj me një lloj protagonizmi në politikën e jashtme të shtetit shqiptar nga ana e kryeministrit. Ka 3-4 vjet që kryeministri Rama është dashuruar shumë pas politikës së jashtme dhe po merret shumë me të. Mendoj që kërkon të ndërtojë një format ndërkombëtar lideri. Para se të shfaqet në dimensione ndërkombëtare, ai shfaqet në dimensione rajonale dhe kombëtare. Ka kohë që është marrë tepër si shumë me çështjen e Kosovës së shumti, duke afishuar pikëpamjet pa u konsultuar me homologun e tij Kurti. Propozimet e Ramës në thelbin e tyre mund të kenë një qasje pozitive, por mënyra, metoda, nuk është produktive sepse përvoja ka dëshmuar se probleme të tilla nuk zgjidhen në një konferencë ndërkombëtare. Duhen kërkuar instrumente të tjerë që s’mund t’i vërë në lëvizje Shqipëria. Janë SHBA dhe BE ato që duhet të vënë në lëvizje mekanizma të tjera përpos këtyre bisedimeve shterpë të Brukselit, për të gjetur një zgjidhje definitive që nuk do të jetë e shpejtë”.
 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy