Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përmbledhje të situatës së zjarreve në gjashtë qarqe të vendit, përmes një cilës bën të ditur se në të gjithë vendin gjithsej janë aktive 16 vatra zjarri të shpërndarë nga jugu në veri.
Në njoftimin për media, MM njofton se në Qarkun e Vlorës, vijon puna nga forcat operacionale për shuarjen e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Vlora është qarku ku janë angazhuar dhe forcat më të shumta, plot 319 trupa të Forcave të Armatosura (FA) dhe tre helikopterë.
Për shuarjen e zjarreve, ministria shkruan, se janë vendosur 31 mjete, katër autoambulanca dhe 21 zjarrëfikës për të vënë nën kontroll situatën.
Sipas njoftimit, vatra aktive vijon të ketë në fshatin Delisuf të bashkisë Vlorë dhe po punohet për izolimin e flakëve.
Në Qarkun e Shkodrës, zjarri sipas MM-së, është izoluar në pjesën më të madhe të tij, në vatrat e fshatit Cukal. Në njoftim nënvizohet se kanë vetëm disa vatra të vogla, të cilat po kontrollohen nga forcat në terren.
Qyteti i Fushë Arrëzit, vazhdon të ketë vatra zjarri. MM-ja thekson se në ndihmë të forcave dhe mjeteve të njësive Fushë-Arrëz dhe Pukë ka shkuar edhe një helikopter.
Operacioni për shuarjen e zjarrit do të vijojë përgjatë ditës.
Një zjarr u raportua rreth orës 22:31, në lagjen Tepe të bashkisë Shkodër. Në vendngjarje kanë shkuar dy mjete të MZSH-së Shkodër dhe gjashtë forca të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në Qarkun e Dibrës vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Lukan, në Dibër. Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore më pak të pyllëzuar. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe vullnetarë të zonës.
Zjarr vijon edhe në Qafë Murrë, ku zona ka sipërfaqe me pisha dhe shkurre.
Në Qarkun e Gjirokastrës, në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë.
Vatrat vijojnë të jenë ende aktive në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri, në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht.
MM-ja njofton se po vijon puna për të mbajtur nën kontroll situatën.
Sipas ministrisë, në këto vatra zjarri dhe në Parkun Arkeologjik të Antigonesë është punuar gjatë gjithë ditës edhe me një helikopter për shuarjen e flakëve.
Një zjarr ka rënë në një sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullishte në fshatin Gadurovë, Njësia Administrative Selishtë, në Mallakastër. Për shuarjen e tij janë angazhuar forcat zjarrfikëse, të bashkisë, të Policisë Bashkiake dhe forca vullnetare.
Zjarri vijon të jetë aktiv për shkak të sipërfaqes së madhe të favorizuar nga era dhe terrenit të thyer malor.
Ndërsa në Elbasan, një tjetër zjarr ka rënë rreth orës 22:30 në fshatin Cerujë, bashkia Elbasan, në një sipërfaqe me shkurre. Për shuarjen e flakëve janë në terren forcat e shërbimit vendor të zjarrfikëses.



