
Presidenti Gjorgje Ivanov nuk do ta nënshkruajë Ligjin për gjuhët, që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Një burim i afërt me kabinetin e presidentit Ivanov tha për agjencinë e lajmeve INA se ai nuk do ta nënshkruajë dhe do të vendos veto për këtë ligj.
“Është mëse e qartë se presidenti Ivanov nuk do ta nëshkruajë ligjin për gjuhët. Ky vendim është i qartë dhe se të hënën presidenti do ta jap arsyetimin e tij.”, thanë burime të afërta me presidentin. Kabineti i tij është mbyllur orëve të fundit dhe nuk ka dhënë asnjë qëndrim për mediat, gati disa ditë që kur ky ligj mori dritë jeshile nga 69 deputetë.
Nëse Ivanov vendos që të mos e miratojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili i mundëson një shtrirje më të gjerë përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe, ky ligj në afat prej 30 ditëve nga dita e miratimit, përsëri kthehet në diskutim në Kuvend për t`u miratuar, por në atë rast mjafton të sigurojë shumicën e thjeshtë, pa pasur nevojë të firmoset dhe nga presidenti.
Kryeparlamentari Talat Xhaferri, por edhe partitë e maxhorancës kanë theksuar se presin që Ivanov ta nënshkruajë ligjin, që më pas të hyjë në fuqi. Për ekspertët dhe njohësit e politikës, zbatimi i ligjit do të jetë shumë i vështirë për për shkak të mungesës së kuadrit, mungesës së mjeteve, por edhe mungesës së vullnetit politik. Sinjalin për mosmiratimin e ligjit, presidenti ivanov e ka dhënë në fundvit, kur nënvizoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo-kushtetues dhe e cenon unitaritetin e shtetit.



