
Disa ditë më parë, përfaqësues të kompanisë së transportit Trans Shped sh.p.k, Ferizaj-Kosovë denoncuan në televizion Tema aktet e policisë shqiptare në qarkullimin e tre kamionëve të saj në rrugën Durrës – Kukës.
Kamionët që transportojnë tuba janë ndaluar dhe gjobitur me argumentin se duhet të sistemojnë ngarkesën. Në fletën e gjobës që disponohet nga TemA TV është verbalizuar sanksioni për një prej automjeteve në masën 3000 lekë, por përtej këtij akti normal, mjetet nuk janë lejuar të ecin më tej, ndonëse nuk ka asnjë akt të shkruar për bllokimin e qarkullimit të tyre.
Kamera e TemA TV ka shkuar në pikën ku tre kamionët e Trans Shped sh.p.k qëndrojnë të bllokuar dhe ka biseduar me pronarin e kompanisë, për të shpjeguar arsyet e bllokimit të kamionëve nga ana e Policisë së Shërbimit Rrugor në Kukës, pa asnjë urdhër ligjor të shkruar.



