SPAK zbulon fushat ku krimi ka akses dhe ndikim. Ndërtimi dhe pastrimi i parave kryesojnë aktivitetet

SPAK zbulon fushat ku krimi ka akses dhe ndikim. Ndërtimi dhe pastrimi i parave kryesojnë aktivitetet

Krimi organizuar ka ndërtuar Institucionet e veta paralele në shqipëri, duke santazhuar, vrarë, korruptuar dhe investuar në ekonomi. 

 

Është ky bilanci i SPAK shkruar e zeza mbi të bardhë në raportin e depozituar në Parlament. 

 

Sipas SPAK, kriminaliteti në Shqipëri gjatë vitit 2025 paraqitet me një nivel të lartë organizimi dhe kompleksiteti, veçanërisht në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 

Grupet kriminale kanë zhvilluar struktura të mirëorganizuara, me ndarje të qartë rolesh, përdorim të teknologjive të enkriptuara dhe shtrirje të gjerë ndërkombëtare. 

 

Spak thotë se është shqetësues mbetet fakti se shumë prej aktiviteteve kriminale zhvillohen jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa vendi përdoret kryesisht si pikë tranziti, rekrutimi dhe për pastrimin e të ardhurave të paligjshme.

 

Krimi i organizuar


Hetimet tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira në rrjete ndërkombëtare, kryesisht në trafikun e narkotikëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Aktiviteti i tyre karakterizohet nga organizim i avancuar, përdorimi i subjekteve tregtare fiktive, komunikime të koduara dhe rrjete financiare për transferimin e parave. Ky kriminalitet shpesh lidhet me korrupsionin dhe pastrimin e parave, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë dhe ndikimin e tij në ekonomi dhe shoqëri.

 

Trafiku i narkotikëve


Trafiku i narkotikëve mbetet aktiviteti kryesor kriminal. Grupet shqiptare janë të përfshira kryesisht në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës, përmes porteve të vendeve si Italia, Spanja, Belgjika dhe Holanda. Droga transportohej e fshehur në kontejnerë ose mallra tregtare dhe shpërndahej më pas në tregje të ndryshme evropiane. Pagesat për këtë aktivitet kryheshin kryesisht me para në dorë, përmes sistemeve informale si Havala apo me kriptovaluta, ndërsa fitimet maskoheshin përmes investimeve në biznese, ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

 

Kultivimi i kanabisit dhe drogat sintetike


Kultivimi dhe trafiku i kanabisit vazhdon të jetë i përhapur, kryesisht në zona rurale si Malësia e Madhe, Saranda dhe zona Tepelenë–Gjirokastër. Grupet kriminale organizojnë procesin nga mbjellja deri te transporti dhe shpërndarja drejt vendeve të tjera, ndërsa pagesat dhe komunikimi realizohen në mënyrë të fshehtë. Ndërkohë, drogat sintetike nuk përbëjnë aktivitetin kryesor të grupeve shqiptare, por janë evidentuar raste bashkëpunimi me rrjete ndërkombëtare për trafikimin e tyre drejt vendeve të Evropës Veriore.

 

Vrasjet, trafiku i armëve dhe emigrimi i paligjshëm


SPAK ka dokumentuar edhe përfshirjen e grupeve kriminale në vrasje me pagesë, shpesh të lidhura me konflikte mes grupeve rivale dhe me aktivitetet e trafikut të drogës. Po ashtu, trafiku i armëve mbetet një fenomen shqetësues, me rrjete që organizojnë transportin e armëve drejt vendeve të tjera, si Mbretëria e Bashkuar. Një tjetër aktivitet i rëndësishëm është emigrimi i paligjshëm, ku grupet kriminale organizojnë kalimin e shtetasve drejt vendeve të BE-së, SHBA-së apo Mbretërisë së Bashkuar. Pagesat për këto shërbime variojnë nga 6.000 deri në 8.000 euro për person për kalimin drejt Evropës dhe deri në 40.000–45.000 dollarë për itineraret drejt Shteteve të Bashkuara.

 

Mashtrimet financiare, kontrabanda dhe pastrimi i parave


SPAK ka evidentuar gjithashtu forma të ndryshme të kriminalitetit ekonomik, si skemat mashtruese të mikrokredive dhe kontrabanda e cigareve përmes manipulimit të procedurave doganore. Një rol qendror në aktivitetin e grupeve kriminale luan pastrimi i parave, i cili lidhet drejtpërdrejt me fitimet e krijuara nga trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore dhe mashtrimet financiare. Sipas hetimeve, skemat e pastrimit të parave realizohen përmes kanaleve të ndryshme, si sisteme informale transferimi (Havala), përdorimi i kriptovalutave, qarkullimi i shumave të mëdha cash dhe fragmentimi i transaksioneve për të shmangur raportimin financiar.

 

Në shumë raste përdoren rrjete ndërkombëtare me struktura të ndara në disa vende, ku një pjesë merret me gjenerimin e të ardhurave kriminale, një pjesë me transferimin e tyre dhe një tjetër me riintegrimin e parave në ekonomi. Për këtë qëllim shfrytëzohen subjekte formalisht të ligjshme si mbulesë financiare, mes të cilave zyra këmbimi valutor, shoqëri të transfertave të parave, agjenci udhëtimi, kompani ndërtimi dhe struktura të tjera financiare jobankare. Këto përdoren jo vetëm për qarkullimin dhe depozitimin e shumave, por edhe për krijimin e dokumentacionit fiktiv që maskon origjinën e parave.

 

Një tipar i përsëritur në këto skema është shpërndarja e përfitimeve brenda rrjeteve kriminale. Personat që kryejnë transferimin ose koordinimin e parave përfitojnë zakonisht nga 3 deri në 10% të shumës së dërguar, me një mesatare rreth 5–6%, ndërsa transportuesit fizikë të parave marrin një përqindje më të ulët, rreth 1–5% ose pagesë fikse për çdo dërgesë. Në fazën përfundimtare, fondet e paligjshme investohen në pasuri të paluajtshme, biznese me qarkullim të lartë cash dhe aktivitete tregtare, me qëllim integrimin e tyre në ekonominë formale dhe fshehjen e origjinës kriminale. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy