
Bota po kalon një krizë të thellë dhe mund të jetë në prag të një lufte, tha presidenti francez Emmanuel Macron në një fjalim mbi reformimin e kapitalizmit të martën, duke bërë thirrje për një përpjekje globale ndaj rreziqeve të pabarazisë, teknologjisë së pakontrolluar dhe ndryshimeve klimatike.
Në një fjalim për 100-vjetorin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, Emmanuel Macron bëri thirrje për kompesim dhe mbrojtje sociale e universale për njerëzit, jetesa e të cilëve u kërcënua nga ndryshimet teknologjike dhe mjedisore.
"Unë mendoj se kaosi është këtu. Dhe mendoj se është përgjegjësia e brezit tonë që të mos presim për një luftë të re, por ta shikojmë botën ashtu siç është", tha Macron.
"Besoj se sot ne jemi në prag lufte, nëse nuk bëjmë kujdes. Dhe kjo luftë është e pranishme në demokracitë tona - është kriza e thellë që po kalojmë. Mund të zgjedhim të jemi somnabul, por nëse duam përparim të vërtetë, duhet të marrim disa angazhime serioze", tha ai.
Pabarazia në rritje po ushqen "autoritarizmin". Votuesit thonë se demokracia nuk na mbron nga pabarazia e shkaktuar prej kapitalizmit të çmendur, prandaj le t'i mbyllim kufijtë, të ndërtojmë mure dhe të dalim nga multilateralizmi", tha ai me një kritikë të dukshme ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Macron foli për 44 minuta, shumë më tepër se liderët e tjerë në event, përfshirë kryeministrin rus Dmitri Medvedev dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. /Sipas Reuters, përgatiti Erina Çoku/



