Kryeministri Rama ka udhëtuar sot drejt Kukësit, ku ka zhvilluar një takim me banorët e Shishtavecit.
Rama tha se qeveria e shkuar la pas 720 milionë dollarë borxhe, kryesisht detyrime kontraktore ndaj kompanive private. Kreu i qeverisë tha se nëse nuk do të kishte trashëguar borxhe të palikujduara, qeveria do të kishte ndërtuar 3 herë më shumë rrugë.
“Nëse nuk do të kishim pasur borxhe, sot do të kishim ndërtuar tre herë më shumë rrugë. Kemi akoma nevojë për para për t’i përfunduar ato që janë lënë në gjysmë. Ndërkohë, ne nuk kemi harruar njerëzit. Jo vetëm kemi shlyer 720 milionë dollarë, por ju e mbani mend se si njerëzit prisnin para spitaleve ku nuk kishte asnjë lloj ilaçi”, tha ai.
Rama iu rikthye taksës progresive, e cila sipas tij bëri që të rriteshin të ardhurat për shumicën e familjeve shqiptare.
“Ne ulëm taksën mbi rrogën. Për çdo rrogë nga pastruesja te kryeministri, qeveria e mëprashme merrte 10 për qind taksë, që bënte që pastruesja të paguante më shumë se kryeministri në raport me rrogën. Nga ulja e taksës që në vitin e parë ne hoqëm nga buxheti i shtetit mbi 100 milionë dollarë që ua lamë në xhep atyre që jetojnë me rrogë minimale ose mesatare”, tha ai.



