Forumi Strategjik i Zhvillimit në Bled të Sllovenisë, ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur dhe ka filluar takimet e para me homologët e tij dhe eksponentë të lartë të Bashkimit Evropian.
Në pamjet e para të ardhura prej Samitit, Rama është takuar me kryeministrin slloven, Janez Jansa, i cili është edhe mikpritësi i forumit.
Ndërsa ndau foto nga takimet në kuadër të këtij Forumi, Rama theksoi rëndësinë e tij për të ardhmen e Europës.

“Bled, Slloveni – Në Bled Strategic Forum për të ardhmen e Europës”, tha ai.
Organizatorët e eventit, e kanë vendosur Ramën krah kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. Nga pamjet e prezantuara shihet kryeministri Edi Rama, i cili është i vetmi pa maskë në rreshtin e parë, ku janë krerët e disa shteteve.
Ndër eksponentë të lartë evropianë, Rama do të ketë një takim individual me Komisionerin evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ndërsa është takuar edhe me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ndërsa, takimi me kryeministrin hungarez, Victor Orban, ka qenë më miqësor, teksa është parë duke zhvilluar një bisedë me të.
Gjatë akomodimit në sallën e konferencave, Rama ka zhvilluar një bisedë edhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Forumi i Bled-it do të zgjasë përgjatë gjithë ditës dhe rreth pasdites priten prononcimet e para nga krerët e shteteve.
Punimet e Forumit Strategjik të Bledit do të jenë të ndara në dy panele, në të cilat do të diskutojnë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kryeministra e presidentë të shteteve të ndryshme të Evropës.
Forumi Strategjik i Bledit konsiderohet si ngjarje kyçe rajonale. Ky forum i përvitshëm është kthyer në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në rajon.



