Rusia dhe Turqia, për herë të parë që prej nisjes së konfliktit të Sirisë, kanë organizuar sulme ajrore të përbashkëta, ndaj pozicioneve të militantëve të Shtetit Islamik.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Sergei Rudskoi, i cili u shpreh se bashkëpunimi kishte qenë mjaft efektiv.
Ai shtoi se edhe përgjatë javëve të ardhshme do të ketë operacione të tilla, me qëllim asgjësimin përfundimtar të militantëve të Shtetit Islamik.
Zyrtari rus bëri të ditur se forcat ajrore të të dyja shteteve kishin goditur pozicionet që kontrolloheshin nga ISIS në periferi të qytetit Al-Bab, si dhe në disa zona periferike të provincës së Alepos.
Në komunikimin e tij, Rudskoi tha gjithashtu se në total janë shkatërruar 36 objektiva, ndërkohë që njoftoi se në këtë operacion u angazhuan 9 avionë rusë dhe tetë avionë turq.
Për t’u theksuar është fakti se në konfliktin e Sirisë, Turqia ka qenë vazhdimisht një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndaj pozicionimi i saj përkrah Rusisë mund të mos përbëjë një lajm të mirë për Uashingtonin.
Moska dhe Ankaraja pritet të udhëheqin edhe negociatat e paqes për Sirinë, të cilat do të nisin gjatë javës së ardhshme në kryeqytetin e Kazakistanit.



