Deklaratat e kreut të PD-së Basha se ka dijeni mbi vendodhjen e tonelatave me kanabis të fshehura në Durrës dhe Lezhë kanë sjellë reagimin e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Xhafaj nënvizon se pas nisjes së një aksioni që u zhvillua gjatë gjithë natës askund nuk është zbuluar drogë, ndaj ai i ka çuar letër Prokurorisë për të verifikuar deklarimet e Bashës.
Përmes një deklarate të gjatë për mediat, Xhafaj thotë se menjëherë ka vënë në lëvizje policinë si dhe i është drejtuar me një letër Prokurorit të Përgjithshëm që organ ii akuzës të nisë hetime kryesisht për verifikimin sa më shpejt të fakteve të pretenduara.
Xhafaj thotë se nga kontrollet e deritanishme të policisë nuk konfirmohen deklarimet e z.Basha. Operacioni po vijon edhe në këto momente.
Reagimi i plotë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar publikisht se ka dijeni për disa fakte shumë të rënda kriminale, lidhur me vendndodhjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në rrethinat e Durrësit dhe Lezhës e lidhjen kriminale të drejtuesve të Policisë në këto qarqe dhe madje duke aluduar për dijeni lidhur me këto fakte edhe për disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit.
Menjëherë me bërjen publike të deklaratave publike të z.Basha, i kam kërkuar Policisë së Shtetit, ndërmarrjen e veprimeve konkrete si dhe kryerjen e një operacioni të gjerë në terren në zonat e përmendura për depozitim të lëndës narkotike. Operacioni është zhvilluar gjatës gjithë natës dhe ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Nga rezultatet e deritanishme nuk konfirmohen deklarimet e z.Basha. Operacioni po vijon edhe në këto momente.
Duke marrë në konsideratë këto deklarime publike të Kryetarit të opozitës për të dhëna e fakte shumë të rënda kriminale, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme përmes një shkrese zyrtare i jam drejtuar sot Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës duke kërkuar që organi i prokurorisë të fillojë kryesisht hetimin, si dhe të nis sa më shpejt verifikimin e fakteve të pretenduara.
Në deklarimet e tij z.Basha, pretendon edhe dijeninë time si Ministër i Brendshëm lidhur me ekzistencën e magazinave të lëndëve narkotike në këto zona dhe personat nga radhët e policisë që i mbrojnë ato. Unë distancohem prerë nga këto insinuata të rreme ndaj personit tim. Unë kam marr përsipër të gjithë përgjegjësinë ligjore për të përmbushur detyrën sipas ligjit, duke shprehur gatishmërinë nëse është e nevojshme edhe për të dhënë deklarimet sipas ligjit procedural penal.
Shpresoj që Prokuroria si organi përgjegjës për hetimin e veprave penale, të kryejë një hetim të shpejtë, i cili do të shërbej për të sqaruar të vërtetën rreth akuzave të bëra dhe njëherësh për të vlerësuar deklarimet e Kryetarit të opozitës z.Basha, nëse janë thjesht në kuadër të luftës e polemikës politike të mbështetur në shpifje të pabaza apo kanë karakter dhe elementë të krijimit të destabilitetit politik që përbën rrezik për sigurinë e vendit.
Ministria e Punëve të Brendshme e ka bërë të qartë edhe me veprime konkrete intensifikimin e kontrolleve si dhe ndëshkimin më të ashpër në çdo rast kur konstatohet mosveprim apo mospërmbushje e detyrave funksionale nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Rezultatet dhe puna e Policisë janë publike dhe transparente. Rezultatet konkrete të luftës antikanabis u ritheksuan dhe në një konferencë për media një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike.
Rezultatet e arritura deri tani japin garanci të plotë se kjo betejë do të jetë e sukseshme në sajë edhe të mbështetjes së gjerë të qytetarëve, bashkëpunimit efektiv me organet e tjera ligjzbatuese në vend si dhe me mbështetjen aktive të partnerëve ndërkombëtar.
Në këtë kuadër kërkojmë mbështetje maksimale nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, institucional e shoqërorë në vend. Kjo betejë ka të bëjë me të ardhmen e vendit tonë dhe mundësinë për ta nxjerrë njëherë e përgjithmonë nga lista e vendeve kultivuese të kanabisit.
I bëjmë thirrje z.Basha dhe kujtdo tjetër që ka të dhëna të vlefshme, që ka dijeni për prova, fakte ose rrethana për vepra të tilla kriminale ti paraqesin ato në Prokurori si organi kushtetues, përgjegjës për hetimin e veprave penale. Ky është një detyrim për çdo qytetar të këtij vendi dhe për më tepër një përgjegjësi kushtetuese e ligjore për çdo zyrtar dhe politikan të përgjegjshëm ndaj interesave të vendit.
Përbaltjet e qëllimshme ndaj punës së njerëzve të ndershëm në rradhët e Policisë së Shtetit, deklarimet e papërgjegjshme që synojnë të shmangin angazhimin e saj nga përballja me objektivat reale të luftës kundër krimit krijojnë kosto financiare, fizike e morale për Policinë e Shtetit dhe nuk i shërbejnë stabilitetit të vendit.
Ftojmë të gjithë qytetarët dhe zyrtarët e përgjegjshëm të këtij vendi për t’ju bashkuar dhe për të kontribuar aktivisht në përpjekjen tonë të përbashkët për më shumë stabilitet, qetësi e siguri.



