Rënia e Euros/ Tomorri: Nuk do ndikojë blerja e valutës, goditen eksportet e turizmi. Sigurimi i banesave një taksë e mirëfilltë (VIDEO)

Rënia e Euros/ Tomorri: Nuk do ndikojë blerja e valutës, goditen eksportet e turizmi. Sigurimi i banesave një taksë e mirëfilltë (VIDEO)

Gazetari Klodian Tomorri mendon se blerja e valutës në tregun e brendshëm nga Banka e Shqipërisë nuk do të ketë ndikim në zhvlerësimin e euros. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Tomorri tha se kemi të bëjmë me një problem strukturor, që nuk lidhet me zhvillimin e ekonomisë, që tanimë ka filluar ta pranojë edhe BSH. Tomorri tha se rënia e euros rrënon industrinë e eksporteve si dhe godet sektorë si turizmi. 

“Nuk mendoj se do ketë ndonjë ndikim sinjifikativ rritja e limitit që BSH do blejë këtë vit në tregun e brendshëm, për euron bëhet fjalë gjithmonë. Banka kishte parashikuar të blinte 160 milionë euro për gjithë vitin në ankandet normale që ajo bën për të rritur rezervën valutore, për shkak se i është dashur që të jetë sa më agresive për të ndikuar sadopak te kursi i këmbimit, u detyrua ta çojë tavanin deri në 300 milionë euro, të sasisë që mund të blejë nga tregu i brendshëm. Mbetem skeptik nëse kjo masë do ketë një efekt në treg për të zbutur zhvlerësimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të euros. Edhe sot tendenca ka vazhduar. Me sa duket është një problem më i madh, duket se kemi të bëjmë me një problem strukturor, që tani banka ka filluar ta pranojë. Në deklaratën e fundit BSH e pranon si problem dhe thotë se zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut po ndodh me shpejtësi shumë më të larta nga sa sugjerojnë faktorët ekonomik. 

Kemi të bëjmë me një rritje të ofertës së euros, ku pjesa më e madhe e ekspertëve bien dakord që nuk justifikohet nga zhvillimi ekonomik. Në çastin që ke flukse kaq të mëdha s’mund t’i përballosh me blerje të BSH, duke rritur tavanin e sasisë së euros, nga 160 në 300 milionë euro. Parimisht për një ekonomi importuese si Shqipëria, rënia e euros në pamje të parë shfaqet si pozitive. Sepse importet që blen nga jashtë, blihen më lirë, e kështu me radhë. Mirëpo në rast se zhvillimi s’vjen si zhvillim natyror i ecurisë ekonomike, krijon probleme shumë të mëdha në treg. Së pari rrënon industrinë e eksporteve. Së dyti godet ata sektorë që ushqehen me flukse të ardhurash nga jashtë, qoftë edhe me flukse si turizmi. Turistët vijnë edhe për shkak të avantazheve në çmime me konkurrentët në rajon apo BE. Mirëpo ky zhvlerësim i euros do fillojë të godasë edhe sektorin e turizmit, do t’i japë një frenim këtij hovi, sepse Shqipëria s’është e gatshme sot të ofrojë turizmin elitar dhe këtu vijnë përgjithësisht turistët që mundohen të kursejnë, që janë shumë të ndjeshëm ndaj rritjes së kostos. Nëse euro të zhvlerësohet me 20 për qind, praktikisht i ke rritur çmimet me 20 për qind”, tha Tomorri. 

Lidhur me pr.ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, Tomorri tha se kemi të bëjmë me një taksë të mirëfilltë. Ai thotë se problematik në këtë rast është krijimi i një monopoli, ku çmimet që duhet të paguhen vendosen nga VKM-ja dhe jo nga aktorët në treg. 

“Është taksë e mirëfilltë, vendoset me detyrim mbi çdo banesë dhe familje. Prek të gjitha familjet shqiptare që kanë në pronësi një banesë, dhe përdoret shkopi i ligjit për t’u marrë një pagesë. A duhej një skemë sigurimi për banesat në Shqipëri? Sigurisht, këtu mendimet ndahen, ka shumë ekspertë që thonë po duhet të kemi një skemë sigurimi, që mos ndodhë ajo që ndodhi me tërmetin 2019. Ka të tjerë që thonë s’është kjo rruga si duhet të përballemi me këtë risk. Skema e sigurimeve në themel duhet të jetë vullnetare. Problemi tjetër lidhet me krijimin e një monopoli. Do krijohet një fond kombëtar për banesat, që do quhet Fondi Kombëtar i Tërmetit. Ky do jetë institucioni që në rast tërmeti do paguajë dëmit. Çmimet që familjet do paguajnë do përcaktohet nga qeveria me VKM, s’kemi një treg me shumë aktorë, që konkurrojnë.

Nëse ndodh tërmeti, dëmet në ekonomi ndodhin njëlloj si me skemë sigurimi të detyrueshëm, si pa skemë. Humbja ndodh në ekonomi, edhe nëse ne do kishim një skemë sigurimi të detyrueshëm në 2019-ën, prapë do shkaktohej i njëjti dëm, 7 për qind e PBB-së. Qeveria përmes kësaj skeme kërkon që nëse ndodh një fatkeqësi tjetër të mos jetë buxheti i shtetit të paguajë 1 miliardë e gjysmë, 2 miliardë, por të jetë fondi. Duhet të presim vendimin e qeverisë për të ditur sa do jetë kjo kosto. Ngjarje të tilla me përmasa kaq të mëdha, përballohen vetëm nga buxheti i shtetit. Në Turqi kostoja vjetore shkon 40-50 euro në vit për të siguruar banesën. Në Shqipëri kemi përafërsisht 1 milionë banesa, me 50 euro do kemi një fluks 50 milionë euro në vit. Nëse Shqipëria do goditet nga një tërmet i ngjashëm si i 2019-ës, as fondi s’do ta shlyejë. Është një taksë shtesë që u vihet familjeve shqiptare”, tha Tomorri. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy