Damon Wilson, nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara, duke folur nëpërmjet një video konference në kuadër të javës së 8-të të NATO-s që po mbahet në Beograd, tha se Rusia po përpiqet që marrëdhëniet Kosovë-Serbi të mbesin të njëjta. Kjo për shkak se kërkon që të mbajë ndikimin në Serbi, në një kohë kur kjo e fundit po sheh drejt Europës perëndimore dhe Amerikës.
“Rusia e di se çështja e pazgjidhur e Kosovës është sfidë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Shohim se strategji e Rusisë është të ruajë status quo-në. Status quo-ja e minon aftësinë e Serbisë për të hyrë në negociata serioze, për të përmirësuar marrëdhëniet me Prishtinën.
Shohim ndoshta edhe një luftë hibride kundër qeverisë, për të dekurajuar mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë,”- tha Wilson.
Përfaqësuesi i këshillit atlantik të Shteteve të Bashkuara më tej tha se një marrëveshje duhet patjetër, në mënyrë që Serbia të përfitojë nga partneriteti, ndërkohë që evidentoi faktin që akoma më e nevojshme është për Kosovën.
“Mendoj se në këtë pikë duhet të jemi të guximshëm dhe të ndërmarrim disa rreziqe. E ardhmja e Serbisë është e bllokuar pa marrëveshje dhe përfitimet e partneritetit tonë nuk mund të realizohen plotësisht. E ardhmja e Kosovës mund të jetë edhe më e keqe pa marrëveshje,”-tha Wilson.



