Në Washington ka përfunduar dita e parë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.
Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump takohet ditën e sotme (4 shtator), me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku do të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh.
Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet dhe nëse bëhet fjalë për një marrëveshje dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.
Gjatë javës ishte folur për mundësinë e takimir të Presidentit Trump me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk kishte pasur një konfirmim deri mbrëmjen e së enjtes.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur pas takimit për mediat kosovare ka deklaruar se diskutimet do të finalizohen ditën e nesërme, ku do të bëhet publike dhe marrëveshja.
Ai siguri se është bërë progres i madh dhe se nga Shtëpia e Bardhë nuk do të dalë asnjë marrëveshje që dëmton Kosovën.
“Jemi takuar me O’brien dhe Grenell. Kishim një takim me presidentin serb gjithashtu. Nesër presim të finalizojmë këtë diskutim që patëm sot. Një gjë mund t’iu them që marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme asnjëherë nuk kanë ardhë dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. E kemi bërë një progres në çështjet ekonomike dhe kemi bërë një hap të madh. As nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e shkëmbimit të territoreve. Ju nesër do të shihni marrëveshjen sepse kështu është diskutuar”, deklaroi Hoti.
Ndërkohë, më herët, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se në bazë të informacioneve që posedon nga bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka hedhur poshtë “pikën dhjetë të marrëveshjes, e cila parashikon njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
“Ai (Vuçiç) e tha qartë se është e papranueshme dhe që Serbia do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e saj”, tha Daçiç, duke shtuar se, “asnjëherë më parë delegacionit serb nuk i është paraqitur një dokument për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Por ai shtoi se Serbia dëshiron që të marrë pjesë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën.
“Por, nëse ekziston dëshira për të shkuar një hap më tej në zgjidhjen politike përmes një agjende të fshehtë, duke vendosur formulimin ‘njohje e ndërsjellë’, është e qartë për të gjithë se Serbia nuk do ta pranojë atë”, u shpreh Daçiç.
Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, mohoi të jetë shtruar në tryezën e bisedimeve çështja e njohjes së ndërsjellë, pasi një gjë të tillë e tha fillimisht për mediat, Ministri serb i Financave, Sinisa Mali.



