
Një shërbim privat i mbledhjes së të dhënave ka mbledhur të dhënat e përdoruesve të rrjeteve sociale, të cilat i ka vendosur në një faqe publike pa fjalëkalim. Bëhet fjalë për të dhënat e rreth 48 milionë njerëzve.
LocalBlox, një kompani e të dhënave analitike, e përshkruan veten si “mbledhëse dhe përpunuese e të dhënave” nga burime të ndryshme, përfshirë Facebook, LinkedIn, Tuiter dhe Zillow, për të ndërtuar “profile 360 gradë”, që më pas u shiten kompanive që kërkojnë punonjës.
LocalBlox ka lënë 1.2 terabajt materiale që përmbajnë të dhënat e 48 milionë individëve, në një llogari të Amazon, që njihet si “storage bucket”, e pambrojtur me fjalëkalim dhe lehtësisht e aksesueshme për këdo.
Të dhënat përfshijnë emra, adresa, ditëlindje të marra nga LinkedIn, të dhëna të mbledhura nga Facebook dhe Tuiter. Teorikisht, kushdo që ka akses në këto të dhëna mund t’i përdorë ato për mashtrim, vjedhje të identitetit apo skema të tjera mashtrimi.
Rrjedhja e të dhënave u sinjalizua nga firma UpGuard, e cila vuri në dijeni LocalBlox. Vendi ku ruheshin të dhënat u sigurua brenda ditës.
Çështja e shkeljes së privatësisë u vu në qendër të vëmendjes pasi u zbulua se firma “Cambridge Analytica” kishte marrë të dhënat e 87 milionë përdoruesve të Facebookut.



