Deputetja e PD Ilda Dhori deklaroi se afati dyjavor që ka kërkuar Lulzim Basha është një zvarritje e procesit të dorëheqjes, që sipas saj është hapi i parë drejt ribashkimit të të djathtës.
Duke folur për MCN Live Dhori deklaroi:
Kjo është një kohë e kërkuar prej tij dhe pjesa më e madhe e grupit parlamentar nuk ia ka mohuar. Mendoj që dorëheqja duhet të ishte një akt i përfunduar prej tij sepse nuk shoh një rrugëdalje tjetër për demokratët. Afati kohor i kërkuar prej tij është thjesht një zvarritje për dorëheqjen. Dorëheqja është hapi i parë në të cilën duhet të kalojë procesi disamujor i pajtimit, i bashkimit të PD-së. E shoh si zvarritje të dorëheqjes, që tanimë duhet të ishte një akt i përfunduar. Qëndrimi im në mbledhjen e parë të grupit parlamentar kishte si qëllim bashkimin e të gjithë demokratëve pavarësisht pozicionimit të tyre në foltore apo PD. Mendoj që është një proces që do kohën e tij dhe mënyra më e mirë për ta zgjidhur me sa më pak pakënaqësi, do ishte futja e të gjithë demokratave në një proces zgjedhor të barabartë meritokratik”.
E pyetur mbi opsionin për zgjedhjen e një kryetari të ri të PD-së pa përfshirë Berishën në garë, Dhori tha se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet, ku mund të futen në garë si Basha apo Berisha.
6 marsi na tregoi që asnjë vlerë s’ka institucioni dhe ajo sigël mbi 30-vjeçare kur në fakt nuk kemi vetë demokratët. S’duhet të gënjejmë veten dhe të çojmë siglën drejt rrudhjes dhe tkurrjes. Nuk jam te ajo pjesë që e mendoj këtë si zgjidhje. Vetë z.Basha mund të rikandidojë dhe të kërkojë votëbesim të demokratëve. Në të dy krahët ka demokratë, njerëz të sakrificave, që kanë kontribuar në vite për PD-në. 8 janari ishte pika kulminante e gabimeve, është një turp dhe do doja mos kishte ndodhur. Nuk jam kundër dy figurave, por jam në futjen e të gjitha figurave pretendente në një garë gjithëpërfshirëse.
Megjithatë Dhori thekson se idealja do të ishte zgjedhja e një lideri të ri në PD, që ka konsensusin e të dyja palëve dhe që sipas saj do të duhet kohë që të spikasë dhe të fitojë zemrat e demokratëve.



