
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, e sheh si rezultat të mirë vendosjen e datës për hapjen e negociatave me Shqipërinë vitin tjetër. Paraditen e sotme, gjatë një konference me temë “Çfarë pritet nga çelja e negociatave”, Fleckenstein tha se në lidhje me hapjen e negociatave nuk ka kushte të reja, ndërsa e vuri theksin te zbatimi i plotë i vetingut dhe reforma elektorale.
“Ka kushte, por nuk janë kushte të reja. Askush nuk duhet të lodhet së punuari deri në çeljen e negociatave. Duhet vazhduar me vetingun dhe një ligj të mirë me reformën elektorale. Qeveria duhet të përshpejtojë këtë proces. Këto nuk janë kushte të reja. 25 nga 28 shtetet do të kishin thënë ok vazhdoni. 6 ga 8 grupet kanë thënë që të vazhdojnë me negociatat. Merkel ka bërë të pamundurën që ta bindë Macronin. Do kishte qenë më e suksesshme, po të kishte qenë përfundimi më i shkurtër”, tha ai.
Fleckenstein tha se skepticizmi në lidhje me Shqipërinë ka arsye që lidhen me vetë reformimin e BE-së.
“Urime dhe duke qenë seriozë do kisha dashur që negociatat të kishin filluar një vit më pare, por është një rezultat i mirë. Dhe ato që kanë qenë skeptikë nuk e kanë bërë për Shqipërinë, por për të reformuar brenda njëri-tjetrin. Por disa shtete kanë thënë që reformat brenda vetes duhet t’i bëjmë me njëri-tjetrin”, tha ai.



