Xhadat/ Nishtulla në Durrës mes ujërave të zeza dhe rrezikut të përmbytjeve, 300 familje kërkojnë zgjidhje

Xhadat/ Nishtulla në Durrës mes ujërave të zeza dhe rrezikut të përmbytjeve, 300 familje kërkojnë zgjidhje

Banorët ankohen për kanalin e bllokuar, erën e rëndë dhe mungesën e investimeve. 

Ndërsa pretendojnë se ndërtimi mbi kanalin kryesor ka penguar rrjedhjen normale të ujërave, Bashkia Durrës thotë se zona është pjesë e planit të ndërhyrjeve.

 

Rreth 300 familje në zonën e Nishtullës, në Durrës, përballen çdo ditë me një situatë problematike për shkak të bllokimit të kanalit kullues, mbeturinave dhe mungesës së një zgjidhjeje përfundimtare për sistemin e shkarkimit të ujërave.

 

Kanali është i mbuluar nga kallamishtet, barishtet dhe mbeturinat e hedhura përgjatë tij, duke penguar rrjedhjen normale të ujërave. 

 

Situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë periudhave me reshje intensive, kur banorët përballen me rrezikun e përmbytjeve dhe përzierjen e ujërave të zeza me ato të bardha.

 

Një tjetër problematikë është gjendja e tubave dhe matësve të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në lagjen 14, të cilët ndodhen të shpërndarë pranë rrugës, në afërsi të kanalit ku shkarkohen edhe ujërat e zeza. 

 

Sipas shqetësimeve të ngritura, gjatë përmbytjeve është krijuar rreziku i kontaminimit të rrjetit nga përzierja e ujërave.

Por problemi më i madh, sipas banorëve, lidhet me ndërhyrjen në kanalin kryesor, mbi të cilin është ndërtuar një objekt. 

 

Si pasojë, rrjedha e ujërave është orientuar nëpërmjet dy tubave, të cilët aktualisht janë të bllokuar. Pastrimi i tyre është i vështirë për shkak të gjatësisë së tubacioneve dhe pamundësisë së mjeteve të rënda për të ndërhyrë në brendësi.

 

Banorët shprehen të revoltuar për situatën, duke treguar se era e rëndë është e pranishme çdo mëngjes dhe se problematika përsëritet pavarësisht pastrimeve që kryhen herë pas here. 

 

Ata kërkojnë një investim të plotë dhe jo ndërhyrje të përkohshme, të cilat sipas tyre nuk sjellin asnjë ndryshim afatgjatë.

“Çdo mëngjes këtu vjen një erë shumë e rëndë. Hajde sërish pas një muaji dhe do ta gjesh situatën edhe më keq”, shprehen banorët, të cilët ngrenë shqetësimin edhe për shëndetin e familjeve të tyre.

 

Edhe eskavatoristi Nardi Nezha, i cili ka marrë pjesë në pastrimin e kanalit, pranon se ndërhyrjet e kryera nuk e zgjidhin problemin në themel. 

Sipas tij, mjeti mund të pastrojë vetëm pjesën e jashtme të kanalit, ndërsa dy tubat e bllokuar nuk mund të zhbllokohen me eskavator për shkak të pamundësisë së hyrjes në brendësi të tyre.

 

Ai thotë se ka ndërhyrë edhe në të kaluarën, përfshirë rreth nëntë muaj më parë, por thekson se pastrimi duhet të shoqërohet me një zgjidhje më të qëndrueshme. 

 

Sipas tij, edhe pas ndërhyrjeve, kallamishtet dhe barishtet rriten sërish, duke bërë që i njëjti proces të përsëritet.

 

Për këtë problematikë, ekipi i emisionit 'Xhadat' iu drejtua Bashkisë Durrës për të marrë një reagim dhe informacion mbi ndërhyrjet e planifikuara. 

 

Në përgjigjen zyrtare, Bashkia bën me dije se pas përmbytjeve të muajit janar 2026 ka nisur një proces të detajuar për evidentimin e problematikave në sistemin e kullimit të ujërave të shiut dhe identifikimin e zonave më të rrezikuara.

 

Sipas institucionit, gjatë periudhës prill-tetor 2026 janë pastruar rreth 60 mijë metra linearë kanale kulluese në territorin e Bashkisë Durrës. 

 

Punimet janë përqendruar në Shkozet, Plazh, Durrësin e Ri, Sukth, Katund të Ri, Rrashbull, Ishëm dhe Manzë.

 

Sa i përket segmentit për të cilin është kërkuar informacion, Bashkia deklaron se ai është pjesë e planit të pastrimit dhe ndërhyrjeve në sistemin e kanaleve kulluese, me qëllim përmirësimin e funksionimit të tyre dhe lehtësimin e rrjedhjes së ujërave gjatë reshjeve intensive.

 

Institucioni thekson gjithashtu se evidentimi i problematikave do të shërbejë si bazë për planifikimin e investimeve të mëtejshme, ndërsa po punohet edhe për zgjidhje afatgjata në bashkëpunim me institucione të tjera.

 

Megjithatë, për rreth 300 familjet e Nishtullës, përgjigjet institucionale nuk kanë sjellë ende një zgjidhje konkrete. 

 

Banorët kërkojnë ndërhyrje të plotë në kanal dhe sistemimin e tubacioneve, në mënyrë që të mos përballen çdo dimër me të njëjtin shqetësim dhe rrezikun e përmbytjeve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy