Emisioni investigativ "Xhadat" denoncoi hapjen e degës së Histori- Gjeografisë për vitin 2022-2023 në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në kufijnë e mbijetesës.
Gazetarët nisën investigimin pas informacionit të mbërritur në redaksinë e emisionit "Xhadat", ku pretendohej se në këtë degë ka regjistrime fiktive të studentëve me qëllim hapjen e me çdo kusht të saj.
Bashkëpunëtorja e emisionit mundi të siguronte numrin e një prej studentëve të vitit të parë në degën Histori- Gjeografi pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani”, nëpërmjet sekretares.
Në bisedën me gazetaren e infiltruar (si studente) studentja u shpreh: “Gjithsej jemi tetë nxënës po mësim bëjmë vetëm pesë. Dy nuk vijnë fare është dhe një djalë tjetër, po ai më duket se ka ikur jashtë shtetit”.
Disa ditë më vonë gazetarja kontakon me një tjetër student ku i kërkon të dijë sallën dhe orën e mësimit.
“Sot mësimin do ta fillojmë në orën 10 :30 ndërsa për sallën bëjmë mësim te zyra e zyshave”- u shpreh ai.
Pasi siguron orarin gazetarja shkon të verifikojë sallën. Salla 308 e shënuar tek orari i afishuar ishte mbyllur. Salla ku po zhvillohej mësim ishte salla 211 dhe në atë sallë gazetarja gjeti vetëm tre studentë.



