Kryeministri Edi Rama ka vijuar dëgjesat me qytetarët, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Pasditen e sotme, Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët e Beratit të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre.
Një grua ka ngritur shqetësimin për peripecitë në përpjekje për të marrë legalizimin.
Fill pas kësaj, ka reaguar drejtori i ALUIZNI-t në Berat, i cili ka shpjeguar rastin para kryeministrit Rama.
“E kam sqaruar gruan në të gjitha anët. Më shumë ka problem ligjor, dhe teknik, sesa mukajetit të drejtorit apo pjesës së stafit. Ka më shumë problem teknik dhe ligjor. Ka një shtesë objekti ngjitur me pallatin, është në konflikt me një banor që banon sipër apartamentit të saj. Ka patur shumë zgjatje në kohë. Vërtet ajo ka bërë pagesën në vitin (Gabohet thotë 1912), pastaj e korrigjon, 2012, por në bazë të rregullave aktuale ajo ishte e penguar në drejtim të marrjes së lejes së legalizimit. E rifutëm prapë në proces me thjeshtimin e kritereve, kritere që para tre muajve janë lehtësuar dhe unë e di se është në procesin e zgjidhjes. Nena tha sot që e ka çuar në gjykatë, unë nuk e kam këtë informacion, e di që ajo është në procesin e zgjidhjes. Për atë çka tha për dokumentacionin, unë dua të them se ne nuk gjetëm dokumentacion në dosje, dhe e kërkuam atë”, tha drejtori i ALUIZNI-t, Berat.
“Të lutem a ka mundësi të ulesh, se të dëgjuam”, i tha Rama gruas e cila po ndërhynte. “Ta dëgjojmë dhe këtë”, tha kryeministri, duke iu drejtuar kreut të ALUIZNI-t në Berat.
“Ne i kërkuam që të na jepte dokumentacionet origjinale. Di që nëna është problem i zgjidhur”, përfundoi drejtori i ALUIZNI-t në Berat.
Pas kësaj, kryeministri Rama ka paralajmëruar drejtorin e ALUIZNI-t në Berat, se nëse nuk i jep legalizimin nesër nënës që u ankua në dëgjesë, ai duhet të dorëhiqet.

“Dakord. Nesër o merr legalizimin ajo, o ikën ti nga zyra. Në rregull. Meqë thua është i zgjidhur problemi, nesër ose merr ajo legalizimin, ose ti jep dorëheqjen. Për mungesë informacioni. Se mirë e the, ka që në 1912, e the mirë. Ashtu është. Se për atë që pret që në 2012-ën, pasi ka paguar dhe lekët, dhe i thoni edhe që na kanë humbur dokumentet, është njësoj si të presë nga viti 1912. Unë shpresoj të jetë siç thua ti, dhe nesër, të lutëm shumë jo pasnesër, jepi lejen në dorë. Ose bëji dorëheqjen Artan Lames atje në Tiranë që do e marr në telefon sa të mbarojmë takimin që ta ndjekë këtë punë ai nesër”, tha kryeministri Rama.



