Gjyqtarët evropianë kanë vendosur se Lituania dhe Rumania kanë shkelur të drejtat e dy terroristëve të dyshuar të Al-Kaidës, duke lejuar CIA-n t’i torturojë ata.
Shtetet e Bashkuara kishin arrestuar Abu Zubaydah dhe Abd al-Rahim al-Nashiri, pas sulmeve të 11 shtatorit më 2001 dhe tani gjenden në burgun e Guantanamos në Kubë.
CIA ka vepruar në burgje të fshehta në disa shtete, duke përfshirë Lituaninë dhe Rumaninë.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), ka thënë se dy shtetet kanë shkelur ligjin evropian për ndalim të torturës.
Lituania dhe Rumania u urdhëruan t'i paguajnë 100 000 euro secilit për dëmet e shkakuara respektivisht ndaj Abu Zubaydah dhe Abd al-Nashiri. GJEDNJ nuk ishte në gjendje të vizitonte të dyshuarit në Guantanamo.
Ekzistenca e të ashtuquajturave “vendet e errëta” të CIA-s për marrje në pyetje, është mbajtur sekret për shumë vjet, pas sulmit të 11 shatorit.
Abu Zubaydah, një palestinez i lindur në Arabinë Saudite, mendohet të ishte rekrutuesi kryesor i al-Kaidës në vitet 1990 dhe më vonë u bë një organizator kyç që lidh Osama Bin Laden me qelizat e tjera të al-Kaedës.
Abd al-Nashiri, i lindur po ashtu në Arabinë Saudite udhëhoqi operacionet e Al-Kaidës në rajonin e Gjirit, sipas inteligjencës amerikane. Ai supozohet se ka organizuar sulmin ndaj USS Cole në Jemen në vitin 2000, i cili la 17 të vdekur, raporton BBC.
Vendimi i GJEDNJ-së tha se Rumania hapi një burg të CIA-s në 2003-2005, ku Abd al-Nashiri iu nënshtrua "një regjimi tepër të ashpër burgimi".

Vendimi tha se ai pësoi "trajtim çnjerëzor ... që Rumania e kishte mundësuar duke bashkëpunuar me CIA-n".
I njëjti vendim është shpallur edhe kundër Lituanisë, duke ngritur shqetësime për trajtimin e Abu Zubaydah në periudhën kohore 2005-2006.
Gjyqtarët kanë cituar dokumente të CIA-s, sipas të cilave të dyshuarit për terrorizëm janë përballur me izolim, përdorim të vazhdueshëm të prangave në këmbë dhe ekspozim të tepruar ndaj zhurmës dhe dritës.
Si Lituania, ashtu edhe Rumania, i kanë mundësuar CIA-s të transferojë të dyshuarit në burgje të tjera, duke i ekspozuar ata në "një rrezik të parashikueshëm serioz për keqtrajtim të mëtejshëm".

Gjykatat thotë se provat tregojnë se Abu Zubaydah u kap në Pakistan në mars 2002 dhe u zhvendos në një burg të CIA-s në Tajlandë. Ai u dërgua në një tjetër vend "të zi" në Poloni, në dhjetor 2002.
Ai besohet të jetë mbajtur në Lituani nga shkurti 2005 deri në mars 2006, kur u transferua në Afganistan dhe pastaj në Guantanamo.
Abd al-Nashiri përballet me një dënim të mundshëm me vdekje, pasi prokurorët ushtarakë amerikanë e kanë akuzuar atë mbi bombardimet e USS Cole dhe disa sulme të tjera terroriste. Ai luftoi edhe për talebanët në Afganistan.
Al-Nashiri u arrestua në Dubai në 2002, ai u mbajt në "burgjet e zeza" të CIA-s në Afganistan dhe Tajlandë. Në dhjetor të vitit 2002, ai u zhvendos në një tjetër vend "të zi" në Poloni dhe u mbajt atje deri në qershor 2003.
Ai besohet të jetë mbajtur në Rumani nga prilli 2004 deri në tetor / nëntor 2005, përpara transferimit të tij në Guantanamo Bay në shtator 2006.



