Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë duke pezulluar ndryshimet në ligjin për kompensimin e pronave. Në padi kundërshtohej metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.
Drejtori i Vakf-Investimeve dhe Financës në Komitetin Mysliman të Shqipërisë, Edison Hoti, tha në “MCN Economy” se KMSH-së i janë kthyer jo më shumë se 20 për qind e pronave që ka pasur në zotërim. Ai vuri në dukje se ka zhvlerësim të madh të pronës kur përllogaritja bëhet me zërin kadastral i kohës së komunizmit.
Ne kemi kundërshtuar ligjin. Ne kemi ankimuar mënyrën se si vlerësohet prona. Mënyra e kompensimit financiar të pronës. Nuk ka të bëjë vetëm me KMSH-në, por me të gjithë ish-pronarët. Ky ligj synon, nëse kemi 1000 metër/katror, për të cilat shteti na ka njohur dhe kompensuar 200 metra/katror, shteti thotë që ky 800 metër do vlerësohet me zërin kadastral që është marrë në vitin kur komunizmi sekuestroi të gjitha pronat, dhe jo me zërin kadastral aktual. Nëse sot ka një vlerë 500 euro metri katror, në 67’ mund të jetë diku te 5 euro. Sot me anë të këtij ligji 1000 metra herë 5 euro kushton 5 mijë, dhe ne dalim me minus. Megjithatë shteti thotë që s’do ta quajmë që je debitor, dhe do ta quajmë zero. Ka tre lloje rastesh. Një rast është që s’i është kthyer fare. Në 2022-shin, edhe për pjesët që ishin njohur, thanë që duke u bazuar te zëri i vjetër kadastral, nuk jemi më debitor te pjesa e mbetur, por shlyhemi.
Ne nuk kemi ankimuar të 2018-ës, por pjesën që është shtojcë, që ka të bëjë me ligjin 77 të 2022-shit, me disa pika. KMSH ka qenë pronari i dytë pas shtetit me numrin e pronave që ka pasur. Janë 6 mijë jetimë që ndihmohen, familje në nevojë, ku me anë të këtyre pronave është një kurim i mirë i shoqërisë, pra fokusi është te ana sociale që sjellin këto prona. Ne nuk e kalojmë 20 për qindshin e pronave që i janë kthyer KMSH-së. Ne kemi kërkuar kthimin e truallit dhe pronës ku kanë qenë të ndërtuara objektet e kultit. Për ato që s’janë të zëna”.
Duke u ndalur te bregdeti, Hoti tha se KMSH ka më shumti prona në zonën e Borshit, por ende s’janë kthyer.



