
MCN TV ka siguruar dosjen mbi të akuzuarit për inceneratorin e Fierit, ku thuhet se Alqi Bllako në cilësinë e Sekretari të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit favorizoi kompaninë “Integrated Energy” dhe administratorët e sh.p.k Giuseppe Ciaffaglione dhe Arjola Kodra.
Këta të fundit përmes veprimeve të kundërligjshme e kanë pasqyruar si të punësuar babain e tij, Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për këtë shtetas, që në total kapin shifrën 14 milionë lekë të reja.
Edmond Bllako ka qenë i punësuar në periudhën kohore tetor 2018 deri në periudhën janar 2020 pranë operatorit ekonomik “Integrated Energy” si drejtor kantieri. Paga e tij mujore kapte shifrën 6 mijë euro në muaj në muaj. Kontrata ndërmjet Edmond Bllakos dhe “Integrated Energy” sh.p.k është lidhur nga administrator Italian, shtetasi Giuseppe Ciaffaglione.
Në të njëjtën kohë Edmond Bllako ka qenë i punësuar në Ersekë si “agjent tregtar” pranë operatorit ekonomik “Edmond Bllako” me aktivitet për “prodhim dhe tregtim birre” dhe si “brumëgatues” në një aktivitet për prodhim dhe tregtim buke.
“Nga dokumentacioni i administruar pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, rezulton se shtetasi Edmond Bllako ka përfituar pagën totale nga muaji tetor 2018 deri në muajin janar 2020, shumën prej 14, 964, 900 lekë. Rrezulton se nga tetori 2018 deri në mars 2019 Edmond Bllako është paguar nga administratori Italian Giuseppe Ciaffaglione, ndërsa nga marsi 2019 deri në janar 2020, nga administratorja Arjola Kodra”, thuhet në dosje.



