
Autoritetet gjermane paralajmërojnë se qindra fëmijë rrezikohen nga radikalizimi islamik dhe përbëjnë një rrezik që nuk mund të neglizhohet sa i përket sigurisë. Fëmijët dhe adoleshentët që rriten në familje që ndjekin mësime të islamit radikal u krijohet një botëkuptim ekstremist që legjitimon dhunën ndaj të tjerëve dhe atyre që nuk i përkasin grupit të tyre, thuhet në një analizë të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, në Gjermani.
Fëmijë të kësaj kategorie tregojnë shenja të radikalizimit të hershëm dhe të shpejtë, thuhet në raportin e cituar nga grupi mediatik “Funke”.
Ekspozimi i të miturve ndaj islamit radikal është “alarmues dhe përbën një sfidë për vitet e ardhshme”, thotë Hans-Georg Maaßen, president i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Maaßen paralajmëroi në dhjetor të vitit të kaluar se fëmijët dhe gratë që kanë mbërritur në Gjermani nga territoet e pushtuara nga Shteti Islamik përbëjnë kërcënim për sigurinë në Gjermani. Në raport specifikohet se kërcënim i tillë janë disa familje (një numër i ulët me 3 shifra) që jetojnë në Gjermani dhe nuk kanë udhëtuar në Siri apo Irak.
Raporti ka nxitur anëtarë të Partisë Kristiandemokrate të kancelares Merkel që të kërkojnë ndryshimin e rregulloreve dhe përfshirjen e mbajtjes nën vëzhgim edhe të fëmijëve nën moshën 14 vjeç.
“Kjo nuk ka të bëjë me kriminalizimin e individëve nën 14 vjeç, por me parandalimin e rreziqeve të konsiderueshme që mund t’i paraqiten vendit, si p.sh. terrorizmi islamik, që gjithashtu përdor fëmijët”, thotë eksperti i sigurisë në CDU, Patrick Sensburg. / Politico.eu /



