Sulejmani: Paqja fiskale më shumë politikë ekonomike sesa fiskale, ligji prek 1/4 e buxhetit të shtetit

Sulejmani: Paqja fiskale më shumë politikë ekonomike sesa fiskale, ligji prek 1/4 e buxhetit të shtetit

Ka nisur zbatimi i paketës së shumëdiskutuar të Paqes Fiskale, ndërsa ekspertë të ekonomisë dhe biznesit po analizojnë ndikimin që pritet të ketë në financat publike dhe tek subjektet tatimpaguese. 

 

Eksperti kontabël Altin Sulejmani, i ftuar në emisionin “MCN Economy”, e cilësoi këtë paketë si një nismë që “është më shumë politikë ekonomike sesa fiskale”, duke theksuar se miratimi i saj ka ardhur pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe presionesh ndërkombëtare.

 

Në fakt, pritja po bëhej shumë dhe kishte një lloj frike edhe për moszbatimin. Presionet kanë qenë të shumta nga faktorët ndërkombëtarë.

 

Sipas tij, paketa ndahet në dy korpuse kryesore ligjore: falja e detyrimeve tatimore dhe marrëveshjet e reja tatimore mes bizneseve dhe administratës fiskale. 

 

Eksperti sqaroi se për periudhën para vitit 2014 parashikohet falja e plotë e detyrimeve, gjobave, kamatvonesave dhe penaliteteve, përfshirë edhe principalin, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

 

Për detyrimet e viteve 2014–2019, bizneset do të kenë dy alternativa për të përfituar nga skema e faljes. 

 

Në rast se paguhet 50% e detyrimit brenda datës 30 qershor 2026, do të ketë falje të plotë të pjesës tjetër të detyrimit, si dhe të gjitha kamatvonesave dhe gjobave. 

 

Ndërsa subjektet që nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet deri në fund të qershorit, do të kenë mundësi pagese me këste deri në fund të vitit, por me nivel më të ulët përfitimi.

 

Një nga elementët që Sulejmani e konsideroi më interesantë të paketës lidhet me marrëveshjet tatimore për vitet e ardhshme mes bizneseve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

 

Subjekteve u jepet e drejta të bëjnë një marrëveshje tatimore me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ku të përcaktojnë fitimin për dy apo tre vitet e ardhshme dhe të paguajnë një këst të dakorduar.

 

Ai shtoi se fitimi deri në 18% mbi nivelin e vitit paraardhës do të tatohet me 15%, ndërsa fitimi mbi këtë normë vetëm me 5%, duke e cilësuar këtë si një nismë “interesante” dhe të mirëpritur për biznesin.

 

Megjithatë, Sulejmani ngriti shqetësime mbi mungesën e transparencës dhe komunikimit publik për këtë proces. Ai kritikoi faktin që publikimi i listës së subjekteve që përfitojnë falje të mëdha tatimore është shtyrë për në vitin 2027.

 

U insistua nga opozita që, për hir të transparencës, të bëhej publike lista me të paktën tre mijë subjekteve që u falen detyrime mbi pesë milionë lekë të reja. Por u la në vitin 2027 dhe këtë nuk e kuptova pse.

 

Eksperti paralajmëroi gjithashtu se amnistitë fiskale mund të krijojnë precedent të rrezikshëm për kulturën tatimore në vend. 

 

Prishet edukata fiskale, sepse incentivohen subjektet të mos deklarojnë duke pritur amnistinë e radhës”, tha Sulejmani, duke shtuar se pas kësaj nisme duhet të nisë një “epokë e re” në zbatimin e ligjit.

 

Ai vlerësoi se ndikimi financiar i paketës është tepër i madh për ekonominë shqiptare. 

 

Shifrat janë dy miliardë euro në një buxhet që është tetë miliardë euro. Po flasim për manovra shumë të mëdha.

 

Në përfundim, ai kritikoi mungesën e një fushate informuese nga institucionet financiare, duke e cilësuar mënyrën e kalimit të ligjit si një përpjekje për ta kaluar “elefantin në vrimë gjilpëre”, pa tërhequr shumë vëmendjen e publikut.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy