
Pedagogu i Kriminalistikës Ervin Karamuço komentoi në MCN Live aksionin e FNSH-së dhe RENEA-s në shtëpinë e Ervis Martinajt, ku u gjet armatim i fshehur në kosheret e bletëve.
Karamuço vë në dukje se armët e gjetura janë njëpërdorimshme, që përdoren kryesisht në atentate. Ai shprehet se fjalën e fundit do ta thotë policia shkencore, por ngre pyetjen përse nuk është kryer më parë një kontroll në banesën e Martinajt.
Karamuço thekson se aktualisht të dyja pistat po zhvillohen në mënyrë paralele, si ajo që Martinaj është i gjallë, si ajo që ai mund të ketë vdekur.
Ka një paradoks nga institucionet e hetimet, një Prokurori e heton për të vdekur, një Prokurori e heton për të gjallë. Prokuroria e Kurbinit në bazë të kallëzimit të familjareve po ndjek pistën që mund të jetë ekzekutuar, rrëmbyer etj., ndërkohë që SPAK-u e heton për të gjallë. Të dyja janë në kërkim të provave. Nuk është një kontroll i planifikuar ky që ka ndodhur ditën e djeshme. Mendoj që ka qenë i befasishëm për shkak të interceptimeve, të informacioneve që kanë ardhur me urgjencë. Janë gjetur armatime, kamuflazhe, uniforma policie, që janë gjetur në objekte ku nuk të bie syre, në koshere po flasim. A janë përdorur në ngjarje kriminale? Kjo i takon policisë shkencore për t'i ekzaminuar. Bëhet fjalë për dy automatikë të tipit PPSh, janë të modelit rus, por ka pasur prodhim edhe në Shqipëri. Për shkak të kostos dhe vjetërsisë nuk bëjnë pjesë te armatimet e sofistikuara. Por janë armë njëpërdorimshme, që përdoren vetëm për atentate. Përodren dhe hidhen. Gjithë logjistika, është logjistikë për atentate. Edhe kamuflazhi, edhe fenelinat.
I gjithë ky arsenal se di pse ka qenë i fshehur aty, ndërkohë që personazhi kryesor nuk ndodhet. Nuk e di pse s’janë bërë kontrolle më përpara në të gjithë këtë perimetër dhe shtëpi. Të gjithë ngrenë supet, nuk e kanë ditur. Ka vite që ajo zonë është e survejuar, me kamera, inteligjencë artificiale. Ato që kanë ardhur si informacione është se perimetri i survejiancës është më i madh se ambientet e tyre private. Ka deri edhe salla operative që janë gjetur, në mbrojtje të këtyre personazheve famëkeq. Është rasti që policia t’i shikojë këto elementë. Nga këto kamera kaq cilësore që ndodhen në atë perimetër mund të interceptohesh lehtë. Policia shkencore po heton nëse armët janë përdorur në ngjarje të mëparshme, a kanë gjurmë ADN-je. Ne kemi pasur disa ngjarje të rënda kriminale, rrëmbim personi, vrasje, ku atentatorët i kemi pasur me veshje kamuflazhi. Ka një sofistikim të aparaturave, mjeteve, pajisjeve, që ka krimi i organizuar.
Një kontroll në ambientet private i përket Prokurorisë që i duhet leje nga gjykata. Di gjë që është në kushte urgjence edhe nxjerrja e vendimit. Duhet të ishte bërë më parë? Patjetër. Mënyra si janë sjellë dje institucionet ligjzbatuese të ngjall dyshimin sikur e kërkonin vet këtë personazh, dhe e kërkonin të gjallë. Gjetja e arsenalit të armëve të ngjall dyshime. A janë të vjetra dhe të lëna aty, kjo gjë i përket hetimit. 100-ditëshi i lënë nga kryeministri ka kaluar, për zbardhjen e kësaj dileme të madhe. Të dy pistat po ecin paralele, edhe ajo që është i gjallë dhe ajo që është i zhdukur. Janë ca predha eksplozivë, ato kërkojnë një lloj pushke të veçantë si qëllohet. Aty nuk janë armët e atyre predhave. Të ngjan me metodën që përdoret me anti-tankun. Janë eksplozive dhe shumë të rrezikshme”.
Lidhur me shqiptarin që humbi jetën në Britaninë e Madhe si pasojë e goditjes me elektroshok nga policia, Karamuço thotë:
Është një ngjarje shumë e rëndë, ka humbur jetën si pasojë e goditjes me armë elektroshok nga policia britanike. Policia britanike nuk është e pajisur me armë zjarri. Familja do hedhë në gjyq policinë britanike për këtë veprim. Shqetësim ka qenë edhe përdorimin e këtyre armëve në Shqipëri. Kemi treg ilegal nga Greqia. Në manual thuhet që mos e godit personin në gjoks. Duhet të trajnohesh deri në 3 muaj. Edhe policia private i ka në posedim dhe s’e di sa janë të trajnuar për këto. Në Britaninë e Madhe kanë humbur jetën vitin e kaluar 58 vetë, në SHBA shkon në 400 vetë”.
Lidhur me hakerat, pedagogu i Kriminalistikës bën me dije se ka një konflikt mes dy faqeve në Telegram, ku njëra dyshohet të jetë grupim shqiptar.
Është bërë pak komike kjo historia e hakerave. Janë dy faqe kryesore në Telegram që janë përplasur me njëra tjetrën. Kanë filluar të akuzojnë njëra-tjetrën që ju s’jeni ajo që duhet të jeni. Lajmet po i merrni nga ne apo anasjelltas. Bëhet fjalë që njëri prej grupimeve janë shqiptarë. I ka tradhtuar edhe gjuha aty ku flitet ‘our country’. Ka dyshime të forta që përmes terrorizmit kibernetik, i përdor edhe një grupim tjetër për qëllime të tjera”.
Sa i takon sigurisë në ditët e festave, Karamuço shprehet:
Duhet të ketë një policim në komunitet. Kemi pasur një ngjarje gjatë këtyre ditëve, ku në sheshin ‘Skënderbej’ tre persona me armë lodër dhe armë të ftohta, kanë sulmuar qytetarë dhe u ka marrë portofolat dhe sendet personale. Kjo ka vazhduar disa ditë dhe mund të ishte njoftuar. Policia të ketë një bashkëpunim me komunitetin për çdo situatë që mos kemi ngjarje të padëshiruara. Kemi ulje të numrit të vrasjeve në 43. Ardhja e drejtorit të ri shton pak ato përpjekjet dhe vigjilencën e madhe të policie. Po ashtu ka ndikuar emigracioni, ku shumë persona që ishin kontingjent kriminal janë larguar nga Shqipëria. Kemi rritje të performancës në zbulueshmëri. Rënia e sistemit TIMS mund të jetë një nga arsyet që të jenë larguar edhe persona në kërkim”



