
Aktivisti Redi Muçi foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi kalimin nga Organizata Politike te një subjekt i ri i emërtuar si Lëvizja Bashkë. Muçi beson se grupimi ku ai bën pjesë ka arritur pjekurinë e duhur dhe është në momentin e duhur për sjellë ndryshime thelbësore në Shqipëri.
Përgjigjja standarde është që t’u japim një alternativë shqiptarëve, por do ishte e paplotë. Me OP-në vijmë nga një histori aktivizmi 10-vjeçar, ku jemi angazhuar në kauza sociale, ku qëllimi ka qenë ngritja e një fryme të re, qoftë sa i takon rëndësisë së ngritjes në sindikata, për të dhënë modelin e studentit aktivist, dhe përpjekja për të përfshirë sa më shumë qytetarë në kauza jetike, siç ishte pr.ligji për minimumin jetik. Mendoj që jemi në momentin e duhur për ta hedhur këtë hap, kemi pjekurinë e duhur politike, kemi dëshmuar parimet dhe synimi ynë i përhershëm do jetë krijimi i frymës së re, por tanimë për të sjellë një ndryshim thelbësor në shoqërinë shqiptare, për të dalë nga llumi ku na kanë zhytur në 30 vjet.
I pyetur se kur do të hyjë Lëvizja Bashkë në zgjedhje, Muçi theksoi se ende nuk ka një vendim. Aktivisti hodhi poshtë çdo mundësi për të bërë koalicion me tri partitë më të mëdha në vend, duke u shprehur se kjo do ishte vrastare për Lëvizjen Bashkë.
Çdo aleancë me partitë ekzistuese do ishte katastrofike dhe vrastare për atë që ne jemi dhe qëndrojmë në kaq vjet. Tre partitë që e kanë qeverisur vendin, kanë qenë fajtore për situatën ku kemi degraduar, modeli i tyre është ai i partisë pronë private. Mjafton të thuash partia e Edit, Ilir dhe Saliut dhe i ke thënë të gjitha! Është e pamundur të mendojmë për aleanca, aq më tepër në këtë fazë. Etiketimi majtas dhe djathtas është formal, sepse këtu janë në garë kush do shkojë me djathtas, duke zhbërë shtetin social që kishte prioritet mirëqenien e qytetarëve”.
Sa i takon denoncimeve me emra për oligarkët, Muçi thotë se ky s’ka qenë një sulm personal ndaj tyre, por një thyerje e frikës. Ai shton se Lëvizja Bashkë nuk do ta mbyllë gojën sa i takon denoncimeve.
I pyetur mbi rolin e ambasadores amerikane Yuri Kim në Shqipëri, Muçi thotë se:
Roli i ambasadores aktuale dhe të mëparshmëve ka qenë sjellja ndaj një subjekti foshnjor që ka qenë shteti shqiptar, një qasje paternaliste në momente të caktuara, ka treguar paaftësinë e shtetit tonë për të krijuar institucione të shëndetshme. Nëse shteti dhe shoqëria jonë s’e kapërcen këtë si fazë, nuk meritojmë të hyjmë në BE. Roli një ambasadori duhet të jetë minimal. Pretendimi ynë duhet të jetë si të reagojmë së bashku, që problematikat t’i zgjidhim bashkë, dhe mos presim nga ambasadorë apo dikush tjetër”.



