SPAK do të hetojë blerjen e votave, por jo persona që e shesin atë. Për të hetuar krimet zgjedhore, janë caktuar edhe prokurorët përgjegjës që do të ndjekin këto çështje. Sipas informacioneve nga organi i akuzës, mësohet se drejtues i këtij sektori do të jetë prokurori Edvin Kondili. Prokurorët që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin zgjedhorë janë: Edvin Kondili, Klodjan Braho, Enkeleda Millonai, Dritan Prençi dhe Sotir Kllapi.
Ky ndryshim në ligjin për SPAK erdhi pas marrëveshjes së arritur mes PS-së dhe PD-së në 5 Qershor, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme do të hetojë vetëm korrupsionin aktiv në zgjedhje dhe jo atë pasiv. Pra prokuroria speciale do të hetojë ata që blejnë votat, me lekë apo premtime për punë dhe jo ata votues që kërkojnë para në këmbim të votës, vepër e cila do të vijojë që të hetohet nga prokuroritë e rretheve.
SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm detyrohen të raportojnë në KQZ, e cila do të informohet për hetimet e krimit zgjedhor, por pa cënuar sekretin. Po ashtu është miratuar edhe amnistia penale e atyre që bashkëpunojnë për zbulimin e krimeve zgjedhore.



