
Gjithnjë e më shumë inteligjenca artificiale po evoluon.
Po shpiken teknologji të reja dhe po i afrohemi epokës së robotëve, të cilët, siç raportohet, shumë shpejt mund të zëvendësojnë njeriun në një sërë sektorësh.
Megjithatë, inxhinieri i softuerit, Mateo Doda, shprehet për “MCN Informacion” se robotët nuk mund të kenë inteligjencë emocionale biologjike, pasi gjithçka tek ata është shkencë dhe matematikë.
Zhvillimet e ditëve të fundit në fushën e teknologjisë janë aq të mëdha sa dikur dukej e pamundur të imagjinohej se do të kishim robotë që mund të pastronin shtëpinë pa praninë e njeriut.
Tani po diskutojmë nëse robotët mund të kenë inteligjencë emocionale.
Ndonëse inteligjenca emocionale biologjike nuk është e mundur tek robotët, sistemet kompjuterike mund të analizojnë në prapaskenë tonet e zërit, gjestet, nivelin e nervozizmit apo kuptimin e fjalive.
Në bazë të këtyre të dhënave, robotët nxjerrin një përfundim nëse komunikimi i njeriut përmban ton gëzimi, nervozizmi apo neutralitet.
Në këtë kuptim, ajo që quajmë ‘inteligjencë emocionale robotike’ është thjesht rezultat i analizës matematikore dhe historikut të sjelljes së individit.
Nga ana tjetër, inxhinierja elektronike Kejsi Voskopi thekson se ajo që quhet inteligjencë emocionale e robotëve është në të vërtetë vetëm algoritëm.
Inteligjenca emocionale e robotit është tërësisht algoritëm.
Robotët e dizajnuar për këtë qëllim nuk janë gjë tjetër veçse një përpunim i të dhënave.
Roboti mbledh informacione si shprehja e fytyrës, toni i zërit apo të dhëna të tjera dhe më pas krijon funksione të caktuara që i aktivizohen kur përballë ka një person të nervozuar ose të lumtur.
Roboti në vetvete nuk ka inteligjencë emocionale, ai thjesht lexon gjendjen emocionale të njeriut dhe riprodhon reagime të programuara në bazë të sjelljes së atij që ka përballë.



