
Endrit Shabani, kryetar i Nismës Thurrje deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se sistemi ynë zgjedhor duhet ndryshuar një orë e më parë pasi po mban peng rotacionin politik dhe zhvillimin e vendit. Duke vijuar më tej me shpjegimin e saj, Shabani tha se kërkesa për referendum e dërguar ditën e sotme në KQZ, për ndryshimin e sistemit bëhet për të garantuar një votë të drejtë dhe të barabartë dhe që vendimmarrja të hiqet nga komisionet e mbyllura të parlamentit dhe të kalojë në sheshet publike ku qytetarët të vendosin. Shabani tha se Nisma Thurrje është e gatshme për të bashkëpunuar me të gjithë, pasi kauza për të ndryshuar rregullat e lojët është e rëndësishme. "Ne e kemi pasur një eksperiencë të ngjashme, kur kemi nisur në 2020 një iniciativë për të ndryshuar kodin zgjedhor, në atë kohë patëm një fitore të pjesshme që ishte hapja e listave zgjedhore, edhe në atë kohë mblodhën 50 mijë firma të qytetarëve që i depozituam në Kuvend. Arsyeja pse e kemi nisur tani se kjo çështje duhet nisur një orë më parë sepse ky sistem zgjedhor po mban peng rotacionin politik, transformimin e klasës politike, po mban peng zhvillimin e vendit. Sa më shpejt ta ndryshojmë sistemin aq më kollaj do të jetë më zgjedhjet e ardhshme. Nuk jam dakord sesi kodet zgjedhore, sistemet zgjedhore janë ndryshuar gjithmonë javën e fundit duke mos i dhënë kohë as administratës zgjedhore, as institucioneve, as aktorëve politike, as votuesve për t’u orientuar me një sistem të ri zgjedhor . Sa më shpejt duhet nisur nga puna. Sapo mbaruan zgjedhjet po merremi me këtë çështje. Kemi mobilizuar edhe një grup deputetësh që paralelisht po mbledhin firmat për 1/5 e Kuvendit që dhe ata të kërkojnë referendum për sistemin zgjedhor. Duke punuar me dy plane njëkohësisht ne garantojmë dy gjëra, e para që që kjo çështje të shkojë për referendum dhe e dyta që gjatë kësaj kohe votuesi të informohet për çështjet që do të jenë në referendum dhe kur të vijë koha për votim, të bëjë votimin e duhur. Nëse deputet e PL duhen ta mbështesin janë mëse të lutur ta firmosin dhe ta çojmë përpara këtë çështje për referendum dhe pastaj të pyesim popullin. Nëse populli është dakord, ne duhet ta ndryshojmë dhe do ta ndryshojmë. Po patjetër, me çdo aktor politik. Kauza është e përbashkët, sepse interesi publik është që ne të kemi një sistem zgjedhor, jo vetëm me lista të hapura, ne na duhet të reduktojmë zonat zgjedhore. Kemi sistem zgjedhor që i ka dhënë Ramës, 7 mandate në tavolinë. Jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë, është e rëndësishme të ndryshojmë rregullat e lojës. Të garantojmë një votë të drejtë dhe të barabartë dhe vendimmarrjen ta heqim nga komisionet e mbyllura të parlamentit dh eta kalojmë në sheshet publike ku qytetarët të vendosin".



