Darja Dajneko është një vajzë nga Bjellorusia e dashuruar me Shqipërinë, e cila e flet shkëlqyer gjuhën shqipe dhe që është bërë e njohur pasi promovon vazhdimisht Shqipërinë në rrjetet sociale.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, ajo rrëfen se si erdhi si turiste në Shqipëri dhe vendosi të qëndrojë përgjithmonë.
Daria vlerëson shqiptarët dhe dashamirësinë e treguar prej tyre, teksa tregon se në Bjellorusi njerëzit janë shumë të ftohtë.
Natyra është e mirë në Shqipëri, por në radhë të parë janë njerëzit, në Shqipëri njerëzit janë si një familje e madhe. Tek ne janë shumë të ftohtë, nuk interesohemi për njeri tjetër. Jam vetë natyrë shumë e dashur dhe nuk më pëlqen kur njerëzit janë të ftohtë.
Në fillim erdha si turiste me shoqet në Shqipëri. Më pëlqeu shumë, kemi udhëtuar në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë.
Në fillim nuk e dija fare se ku binte. Ne erdhëm në Sarandë në 2020 dhe nuk kishte njerëz fare, kohë Covidi, pastaj Vlorë, Gjirokastër dhe më pëlqeu. Më pas u ktheva disa herë në Shqipëri për një javë apo dy javë.
Fola me prindërit dhe më lanë të lirë të jetoja këtu. Jemi familje moderne edhe pse në fillim, nuk iu erdhi mirë që vajza e vetme të jetonte në Shqipëri. Jetoj te “Myslym Shyri”.
Shqiptarët më thonë gjithmonë se ti di më shumë se ne për vendin tonë. Unë nuk dija as anglisht dhe pata pak vështirësi në fillim se nuk dija asgjë. Pija kafe te lokali poshtë shtëpisë dhe ngjitesha lart. Mund të them se shqipen e mësova në rrugë, sepse doja që të isha një vajzë e pavarur. Tani kam shumë miq shqiptarë.
Shoqja ime e ngushtë është një vajzë që e kam prej vitit 2020 e cila punon në ministri. Aktualisht merrem me marketing për rrjetet sociale, për mjekësi. Sepse kam mbaruar shkollën për mjekësi. Unë merrem me kirurgjinë plastike dhe shërbimin dentar.
Punoj me rrjetet sociale dhe promovoj operacione dhe punën. Për tre muaj kam filluar të kuptoj shqip, pas një viti kam filluar të flasë. Më pas kam mësuar në Bjellorusi kur shihja Big Brother dhe e gjeta veten duke folur shqip. Doja të mësoja të folurën e zakonshme.
Meshkujt në Shqipëri janë me karakter shumë të fortë. Meshkujt më ngacmojnë o bjonde e bukur, o barbi. Edhe kur të vij momenti për dasmë, do e bëj në Shqipëri, sipas traditave shqiptare, me vallet shqiptare. Kam mësuar valle, kam qenë dhe nëpër dasma. Më pëlqejnë shumë, se këtu kërcehet gjithë kohës, ndërsa në Bjellorusi vetëm hahet.
Kam marrë një çmim nga ministria e Rinisë “Të rinjtë që frymëzojnë”. Në fillim bëja video vetëm për video, por merrnin shumë shikime në gjithë botën, ndaj tani jam një vajzë bjelloruse që promovon Shqipërinë.



