
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të samitit të Open Balkan, ka zhvilluar një intervistë me “Euronews Serbia”.
Në intervistë, kryeministri Rama ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, çështjen e Kosovës, por edhe për të ardhmen e Ballkanit të Hapur dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit për këtë iniciativë.
Ai ka theksuar se të gjithë e dinë që është 100 për qind në anën e qeverisë së Kosovës për sa i përket njohjes.
Kryeministri shqiptar ka kujtuar bisedën me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, pas deklaratës së bërë prej tij në vitin 2014 në Beograd.
Asokohe numri një i Qeverisë tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas Ramës, Vuçiç mbeti i dëshpëruar dhe u inatos nga deklarata e tij.
Ai shtoi se presidenti serb bashkë me ekipin e tij, kërkuan që ta dëbonin nga Serbia.
Në 2014-n ne rrezikuam të shkëputeshim sërish për 68 vite të tjera, pasi Aleksandar mbeti i dëshpëruar nga deklarata ime në konferencën për shtyp në Pallatin e Serbisë, që Serbia duhet të njohë Kosovën”.
Kryeministri tha se diferencat nuk i kanë anashkaluar, por, janë përpjekur t’i shohin si një problem që duhet zgjidhur në një proces.
Ai proces duhet të mbushet me energji pozitive dhe vullnet të mirë, për të forcuar marrëdhëniet, për t’u njohur dhe kuptuar më mirë me njëri-tjetrin, me besimin se në fund problemi duhet të zgjidhet.
Nga ana tjetër, Rama shtoi se nuk është sekret ka një mendim të ndryshëm nga qeveria e Kosovës kur është fjala për dialogun me Serbinë dhe qasjen në Ballkanin e Hapur.
Ai shfaqi bindjen se Ballkani i Hapur është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë, përfshirë ata, dhe duke përfshirë dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Sepse, në fund të fundit, të gjithë jemi njerëz dhe ngjajmë shumë më tepër nga sa mendojmë, kur vëzhgojmë njëri-tjetrin nga larg ose kur shikojmë njëri-tjetrin nga prizmi i historisë, ngjarjeve të së shkuarës dhe të dhimbshme.
I pyetur nëse mund ta imagjinojë Albin Kurtin të ulet në të njëjtën tryezë me liderët e tjerë të Open Balkan, ai tha se s’ka dyshime që kjo do të ndodhë.
Sigurisht. Unë kam aftësinë të imagjinoj gjëra që të tjerët nuk do t’i mendonin kurrë. Nuk është çmenduri, nuk është marrëzi, por guxim, ambicie dhe besim. Unë besoj në të, dua me ambiciozitet të ndërtoj paqen me të tjerët dhe kam guximin ta them. Dhe sigurisht që mund ta imagjinoj këtë. Unë mendoj se kjo do të ndodhë. Sigurisht, me koston e kohës së humbur. Kosova një ditë do të jetë në Ballkanin e Hapur. Nuk ka dyshim për këtë, sepse është e ardhmja. Ose do të jemi këtu, së bashku, duke festuar produktet e popujve tanë, duke i ndihmuar ata të prodhojnë dhe tregtojnë më shumë, ose do të nxisim konfliktet, gjakun dhe gjithçka tjetër.
Kryeministri tha se vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë do të jenë në Ballkanin e Hapur.
Nuk ka dyshim për këtë, sepse është e ardhmja. Ose do të jemi këtu, së bashku, duke festuar produktet e popujve tanë, duke i ndihmuar ata të prodhojnë dhe tregtojnë më shumë, ose do të nxisim konfliktet, gjakun dhe gjithçka tjetër.



