
Italia mund të bëhet vendi i parë i G7 që do t’i bashkohet iniciativës Belt & Road (BRI) – që njihet ndryshe si Rruga e Re e Mëndafshit, rrjeti më madh i infrastrukturës, që promovohet nga Kina, por që ka shkaktuar tensione me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Lajmin e bën të ditur “Financial Times” në versionin e saj online, duke cituar nënsekretarin për zhvillim ekonomik në Itali, Michele Geraci.
Geraci është shprehur se një marrëveshje paraprake për pranimin e Italisë mund të nënshkruhet në fund të marsit, me rastin e vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping. "Negociatat nuk kanë përfunduar ende – thotë ai - por është e mundur që ato të përfundojnë në kohë për vizitën e Xi. Ne duam të sigurohemi që produktet Made in Italy mund të jenë më të suksesshme sa i përket vëllimeve të eksportuara në Kinë, që është tregu me rritjen më të shpejtë në botë".
Anëtarësimi i Italisë, megjithatë, shihet me shqetësim nga Uashingtoni, i cili thekson se nuk do të sjellë përfitimet e pritura ekonomike dhe rrezikon të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Italisë. "Ne e shohim këtë si një iniciativë të bërë nga Kina, për Kinën", ka thënë për FT, Garrett Marquis, zëdhënës i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. "Ne jemi skeptikë se anëtarësimi italian mund të sjellë përfitime ekonomike për vendin dhe mund të dëmtojë reputacionin global të Italisë në terma afatgjatë".
Vendimi italian gjithashtu rrezikon krijimin e tensioneve me partnerët evropianë, të cilët po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur me investimet e drejtpërdrejta të Pekinit në Evropë.
Xi Jinping pritet të vizitojë Italinë më 22 mars. Vizita parashikon një darkë me presidentin Sergio Mattarella dhe një takim me kryeministrin Giuseppe Conte.
Iniciativa “Belt & Road” (BRI) është një mega-plan për financimin dhe ndërtimin e infrastrukturës në mbi 80 vende në Evropë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Por sipas SHBA dhe vendeve kryesore evropiane, kjo iniciativë do të shërbejë më shumë për të favorizuar mallrat kineze, duke krijuar "kurthe borxhi" për vendet që marrin investime dhe mund të përdoren për të rritur ndikimin strategjik dhe ushtarak kinez.



