Drejtori i Përgjithshëm i "MCN TV", Endri Meksi, në studion e "MCN Live", ka komentuar vendimet e fundit të qeverisë lidhur me masat e reja ndaj protestave, duke theksuar se ndonëse këto ndryshime synojnë t'i japin më shumë mbrojtje dhe kurajë Policisë së Shtetit për të garantuar rendin publik, ato nuk mund ta prekin apo ta shuajnë revoltën e brendshme të qytetarëve.
Sipas Meksit, klima e pakënaqësisë dhe urrejtjes ndaj keqeverisjes mbetet ende e ndezur në shpirtin e njerëzve, pavarësisht faktit se aktet e dhunshme të ditëve të para janë zëvendësuar nga një frymë më e qetë dhe më e thellë, e cila nisi që në muajin qershor dhe pritet të zgjasë në kohë.
Ai vlerësoi gjithashtu transformimin pozitiv të Policisë së Shtetit, duke nënvizuar se pavarësisht problemeve të mbartura në të shkuarën dhe pranisë së elementëve të caktuar të inkriminuar, kjo strukturë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, po kthehet në shtyllën kryesore të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Nuk është shtypur protesta. Klima e mërzitjes, dufit, urrejtjes ndaj qeverisë ndjehet akoma pavarësisht se s'kemi më atë dhunën e ditëve të para. Këto janë disa masa për t'i dhënë më kurajë Policisë së Shtetit, por pa dyshim e them me bindje se protesta në sensin e saj që nisi në qershor nuk është shuar dhe s'besoj se do shuhet dhe për disa kohë, është më e thellë në shpirt të qytetarëve dhe është komplet ndryshe nga ajo që pamë para disa ditësh e dhunshme.
Janë disa masa për t'i dhënë kurajë policisë, janë ok përsa i përket rendit publik. Gjobat dhe masat nuk e prekin shpirtin e protestës, nuk i heqin asgjë frymës së protestës së qetë dhe Policisë së Shtetit për të qetësuar dhe garantuar rendin. Ne nuk jemi në kushtet e një revolucioni dhe shpresoj të mos jemi para dhunës. I ka dhënë njëfarë dore, mbrojtje qoftë dhe ligjore Policisë së Shtetit dhe kaq. Policia e Shtetit është struktura e vetme bashkë me SPAK që po lufton krimin e organizuar në Shqipëri dhe ky është fakt. E drejtë që ajo strukturë ka qenë e dyshuar, por nuk është më ajo strukturë e parë.
Shpërtheu atë ditë kur Rama ishte jashtë vendit. SPAK nuk mund t'i bëjë të gjitha arrestimet vetë dhe një pjesë e mirë e mbështetjes ka ardhur dhe si pasojë e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit në bashkëpunim. Forcimi i Policisë së Shtetit sot në bashkëpunim me SPAK, të vetmet struktura që po luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Policia e Shtetit do të mbetet krahu i djathtë i SPAK për të luftuar në bashkëpunim krimin e organizuar. Jam dakord që ka qenë keq, por po bëhet më mirë sot, pa përjashtim që aty ka dhe aktorë te dyshuar.



