Dy persona kanë mbetur nën rrënoja mesditën e sotme si pasojë e shembjes së tarracës së një banese, në zonën e Katundit të Ri në Qerret të Kavajës.
Pas ndërhyrjes së ekipeve të ndihmës së shpejtë ata janë nxjerrë të gjallë, por njëri prej tyre ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Policia njoftoi zyrtarisht se rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, është shembur tarraca e banesës së shtetasit Shaban Shehu, rreth 55 vjeç, dhe ka zënë poshtë shtetasin Shaban Shehu dhe shtetasin Albert Roshi, 27 vjeç i punësuar nga shtetasi Shanan Shehu, të cilët po kryenin punime ndërtimi.
Shërbimet e policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat, të të dy shtetasve.
Shtetasi Shaban Shehu, pronari i banesës, për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi Albert Roshi, është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.



